KRU “Prishtina” merr opinion të kualifikuar nga ZKA-ja, evidentohet mangësi në menaxhimin financiar
Ndërmarrja rajonale e ujësjellësit KRU “Prishtina” ka marrë opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për pasqyrat financiare të vitit 2025. Gjetjet e auditorit janë diskutuar edhe në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku janë ngritur shqetësime për pasaktësitë në raportimin financiar dhe moszbatimin e rekomandimeve të viteve paraprake.
Kryesuesi i këtij komisioni, Besian Mustafa, ka theksuar se opinioni i kualifikuar nuk përfaqëson një vlerësim të mirë për pasqyrat financiare të ndërmarrjes.
Sipas tij, auditori ka evidentuar mbivlerësim të të hyrave dhe, rrjedhimisht, edhe të fitimit neto të ndërmarrjes. Po ashtu, janë identifikuar pasaktësi në shpenzimet e TVSH-së dhe në llogaritë e arkëtueshme.
Një tjetër çështje e evidentuar nga auditori, sipas Mustafës, ka të bëjë me mosrishikimin e vlerës së mbetur të pasurisë për vitin raportues 2025, si rezultat i së cilës janë identifikuar mangësi në regjistrin e pasurive.
Ai shtoi se në raportin e auditimit për vitin 2025 janë dhënë gjithsej 19 rekomandime. Prej tyre, gjashtë janë të reja, tri janë pjesërisht të përsëritura, ndërsa dhjetë janë rekomandime të përsëritura nga viti paraprak.
“Opinion i kualifikuar. Për qytetarët e Kosovës, opinioni i kualifikuar nuk është opinion i mirë. Ndërmarrja ka mbivlerësuar të hyrat për 27 mijë e 427 euro, rrjedhimisht edhe fitimi neto është mbivlerësuar mbi po këtë vlerë. Po ashtu, janë mbivlerësuar edhe shpenzimet e TVSH-së për 2 390 euro dhe llogaritë e arkëtueshme për 29 mijë e 880 euro nga faturimi financiar i një ujëmatësi që shërben vetëm për matjen e sasisë së ujit. Ndërmarrja nuk ka kryer rishikimin e vlerës së mbetur të pasurisë të vitit raportues 2025. Si rezultat, në regjistrin e pasurive janë identifikuar mangësi”, tha ai.
Para anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuesi i Bordit të KRU “Prishtina”, Bashkim Pllana, ka dhënë sqarime lidhur me disa prej gjetjeve të auditorit.
Duke folur për çështjen e ujëmatësit, Pllana ka shpjeguar se bëhet fjalë për një ujëmatës kryesor të vendosur në një ndërmarrje, përmes të cilit furnizohen edhe rreth 50 deri në 60 objekte të tjera që janë dhënë me qira.
Ai ka thënë se ndërmarrja është bazuar në Ligjin për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, duke pretenduar se në këtë rast ujëmatësi shërben për matjen e konsumit dhe jo për faturim të drejtpërdrejtë.
Ndërkaq, lidhur me mangësitë në llogaritjen e amortizimit të aseteve, ai ka thënë se problemi lidhet me një sistem softuerik të instaluar në vitin 2022, i cili nuk kishte gjeneruar amortizimin e kalkuluar për disa prej aseteve.
“Kemi të bëjmë, do të thotë, me një ujëmatës, i cili është i vendosur te një X në ndërmarrje. Dhe ajo ndërmarrje, pas atij ujëmatësi, ka edhe 50 ose 60 ujëmatës të tjerë që i kanë këto objekte që janë të lëshuara me qira. Atëherë, duke u bazuar në Ligjin 05/L-042, ligjin që rregullon shërbimin e ujit, këta ujëmatës nuk guxojnë të faturohen, por vetëm të numërohen. Në ligj janë të specifikuara qartë se uji i cilit institucion nuk faturohet, shpenzimi, por vetëm matet… Është e ngjashme sikur te banesat kolektive, ku në hyrje ka një ujëmatës. E kam një ujëmatës, e thashë ndoshta 10 ose 30% e banorëve jetojnë dhe kanë bërë ujëmatësit e vet. Thashë, do të thotë, ujëmatësit e vet, ata ujëmatësit personalë, faturohen, ndahen prej ujëmatësit tjetër. Ky ujëmatës është për ata të tjerët që nuk kanë ujëmatës”, tha ai.
Gjatë raportimit, Pllana ka ngritur edhe çështjen e disa subjekteve komerciale që, sipas tij, kanë pamundësuar qasjen në ujëmatës duke vendosur pjesë të rënda mbi ta.
Ai ka thënë se KRU “Prishtina” ka një komision që ka kryer inspektimet përkatëse dhe se për këto raste është përgatitur dokumentacioni për trajtim gjyqësor. Pllana ka kundërshtuar gjithashtu disa nga borxhet e evidentuara, duke përmendur një shumë prej 402 eurosh, për të cilën deklarata e tij kërkon sqarim të mëtejshëm.
Gjetjet e auditimit dhe sqarimet e drejtuesve të ndërmarrjes janë diskutuar në kuadër të mbikëqyrjes parlamentare të menaxhimit financiar të KRU “Prishtina”.
“Kemi disa subjekte komerciale të cilat e kanë pamundësuar qasjen në ujëmatës, ku mbi ujëmatës kanë shkarkuar pjesë të rënda. Ne kemi komisionin e KRU-së që posedon inspektimet që janë bërë dhe kjo është një lëndë që është përgatitur për gjyqësor. Këto subjekte që kanë pranuar borxh prej 402 eurosh, nuk është real”, potencoi ai.
Krahas kësaj, Komisioni ka shqyrtuar Raportin e Auditimit për PFV të NPH-së “Ibër-Lepenc” SHA për vitin 2025.