Gërvalla: Për dhunën nuk ka justifikim, mos heshtni përballë saj

Gërvalla: Për dhunën nuk ka justifikim, mos heshtni përballë saj

Aktuale November 17, 2026 - 17:22

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV), e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku është takuar me koordinatorin e saj, Burhan Maxhuni.

Gjatë takimit, sipas Gërvallës, është diskutuar për punën, përgjegjësitë dhe funksionimin e kësaj zyre.

Ajo ka thënë se zyra ka rol thelbësor në garantimin e të drejtave të viktimave të krimit, duke siguruar përmes Mbrojtësve të Viktimave përfaqësim dhe mbështetje gjatë procedurave në prokurori dhe gjykata, informim për të drejtat ligjore dhe orientim drejt shërbimeve të nevojshme për mbrojtje dhe ndihmë.

Gërvalla ka theksuar se mbrojtja e të drejtave të viktimave është detyrim i patjetërsueshëm i shtetit.

Ajo ka bërë thirrje që dhuna të raportohet dhe ka rikujtuar se viktimat dhe qytetarët mund të kërkojnë ndihmë përmes Linjës Ndihmëse 0800 11112, e cila është shërbim publik, pa pagesë dhe konfidencial.

"Prandaj mos hesht përballë dhunës. Kërko ndihmë. Raporto dhunën", ka shkruar Gërvalla.