Presidentja Shiroka-Pula pret në takim delegacionin e RRGK-së, diskutohet parandalimi i dhunës ndaj grave
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, priti në takim një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK), të kryesuar nga Nermin Mahmuti, kryetare e Bordit të RRGK-së.
Përfaqësueset e RRGK-së e uruan Presidenten për detyrën dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave.

“Në takim u diskutua për masat konkrete që duhet të ndërmerren për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vrasjeve të tyre. Përfaqësueset e RRGK-së propozuan përfshirjen e femicidit në Kodin Penal, fuqizimin e mekanizmave për mbrojtjen e viktimave, fuqizimin ekonomik, si dhe rritjen e buxhetit për punëtorët socialë dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeton “Zëri”.
Presidentja Shiroka-Pula vlerësoi rëndësinë e punës së RRGK-së dhe të organizatave të shoqërisë civile në adresimin e dhunës ndaj grave.
“Ajo shprehu gatishmërinë për të mbështetur përpjekjet e tyre, duke theksuar nevojën për veprime konkrete, koordinim institucional dhe angazhim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë dhe të drejtat e grave”, thuhet tutje në njoftim.
