U zhduk katër ditë nga familja strehuese nga Ferizaj, 13-vjeçari dërgohet në strehimore
Një 13-vjeçar nga Deçani, i strehuar në një familje në Ferizaj, u largua nga shtëpia më 1 nëntor, derisa u gjet katër ditë më vonë, pas mobilizimit qytetar. Pas intervistimit, ai u vendos përkohësisht në një strehimore të sigurt. QPS-të në Ferizaj dhe Deçan kanë dhënë detaje për rastin, ndërsa familja strehuese kishte raportuar se i mituri ishte shprehur i mërzitur në shtëpi. Institucionet thonë se ai tashmë është i sigurt në vendin e ri ku është strehuar.
Më 1 nëntor të këtij viti, një 13-vjeçar, u largua dhe iku nga familja që e strehonte në Ferizaj, pa dhënë asnjë paralajmërim se s’do të kthehej më në shtëpinë që përkujdesej për të.
I mituri nga Deçani I.Q., për shkak të mungesës së përkujdesjes familjare, ishte vendosur në një familje strehuese, nga Qendra për Punë Sociale në Ferizaj.
Për katër ditë, institucionet u përpoqën ta gjenin, Por, vetëm më 4 nëntor, kur alternativat tjera ishin shteruar, kërkuan edhe ndihmën e qytetarëve.
Në orët e para të mëngjesit të 5 nëntorit, i mituri u lokalizua nga disa qytetarë, të cilët e dorëzuan në stacionin policor në Ferizaj.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Komunës së Ferizajt, përmes një komunikate ka njoftuar se i mituri, pas intervistimit nga hetuesit dhe përfaqësuesit e QPS-së, është dërguar në një strehimore të sigurt, përkohësisht, deri kur institucionet përgjegjëse të bëjnë zgjidhje tjetër.
Por, çfarë e shtyu 13-vjeçarin të largohej nga familja që kujdesej për të?
“Në bazë të pikëpamjeve të fëmijëve tjerë që janë aty nuk është vërejt asnjë problem, ka shprehë dëshirë edhe tek vëllezërit e tij që a ikim se largohemi prej shpisë. Nuk është deklaru as në organet e rendit po as te QPS në Deçan që ai fëmijë ka qenë i trysnum me bë një veprim të tillë”, ka thënë drejtoresha e QPS-së në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha.
Përgjegjësia në këtë rast, nuk i takon vetëm QPS-së në Ferizaj, por edhe asaj të Deçanit prej nga vjen 13-vjeçari.
Drejtori i QPS-së në këtë komunë, Ali Tahirsylaj, tha se familja strehuese i kishte lajmëruar se i mituri kishte deklaruar se është i mërzitur në shtëpi.
“Na kemi kontaktu me familjen strehuese, na kanë thanë që ka qenë i mërzitur, na ka thanë 2-3 ditë përpara që jam tu mërzit, po skemi vëruesehve intereson deri ne momentin diçka strehuese. mirëqenia e fëmisë, për ato jemi siguru prej politikave se e ka shëndetin e plotë”, ka thënë Tahirsylaj.
Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha, tha se në bazë të ligjit, përgjegjësia e fëmijëve në këtë situatë, i takon familjes e cila ka vendos për ta marrë në strehim.
“QPS e Ferizajt ka disa familje strehuese, dhe në baza ligjore i vlerëson dhe rivlerëson cdo vit. Këto familje nuk strehojnë vetëm fëmijë të Ferizajt, mirëpo gjithandej. Ajo familje strehuese ka një menaxher të lëndës, I cili kujdeset në vazhdimësi për ta dhe duke i ofru këshillat e nevojshme, mirëpo mbikëqyrjen e fëmijëve e ka përgjegjësi familja strehuese”, ka shtuar Rexhepi-Brahaj.
Qendra për Punë Sociale në komunën e Deçanit, gjatë kësaj të enjte, është takuar me familjen strehuese si dhe me të miturin, teksa kanë konstatuar se tashmë i njëjti është i sigurt në vendin e ri ku është strehuar. /dukagjini