Macroni letër urimi presidentes Shiroka-Pula: Franca mbështet dialogun Kosovë - Serbi
Foto: Laura Hasani

Macroni letër urimi presidentes Shiroka-Pula: Franca mbështet dialogun Kosovë - Serbi

Aktuale November 04, 2026 - 13:03

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar një letër urimi nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me rastin e marrjes së detyrës.

Në letrën e tij, Macroni i ka përcjellë presidentes urimet më të përzemërta, duke shprehur shpresën se zgjedhja e saj do të mundësojë rifillimin e përparimit në fushat që kontribuojnë në perspektivën evropiane të Kosovës.

Presidenti francez ka rikujtuar takimin me kryeministrin Albin Kurti në Paris, në muajin mars të këtij viti, si dhe partneritetin historik ndërmjet Francës dhe Kosovës.

Ai ka shprehur gjithashtu kënaqësinë që vizita e ministrit të deleguar për Evropën në Kosovë, gjatë muajit korrik, mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të reja ndërmjet dy vendeve.

Në letrën e tij, Macroni ka theksuar edhe rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke riafirmuar mbështetjen e Francës për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. /Zëri

Image