Kryeprokurorja e Pejës mbledh zinxhirin komandues të Policisë, kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj rasteve të dhunës në familje

Kryeprokurorja e Pejës mbledh zinxhirin komandues të Policisë, kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj rasteve të dhunës në familje

Aktuale November 03, 2026 - 14:44

Ushtruesja e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me theks të veçantë në dhunën në familje dhe rastet që përfshijnë të miturit.

Kërkesa është bërë gjatë një takimi me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefin e operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik, transmeton Zeri.info.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, në takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional, sigurinë publike dhe trajtimin me prioritet të rasteve të ndjeshme që përfshijnë viktimat.

Disha-Haxhosaj ka kërkuar nga zinxhiri komandues i Policisë të sigurojë një qasje profesionale dhe të përgjegjshme të zyrtarëve policorë, në përputhje me procedurat ligjore.

Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e reagimit të shpejtë institucional, koordinimit të veprimeve dhe përfshirjes së të gjithë mekanizmave kompetentë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit.

Gjatë takimit thuhet se është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore.

Në fund, thuhet se palët janë zotuar për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kriminalitetit dhe rritjes së sigurisë publike. /Zëri