Nënshkruhet vendimi për hapjen e konkursit për shkollim specialistik për 313 vende
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ka nënshkruar vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik për 313 vende.
Vitia, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se në më pak se katër vjet, ky është konkursi i katërt për specializim.
Siç tha ai: “Prioritet u kemi dhënë lëmenjve deficitarë dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale. Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë do të financojë edhe 20 vende për Mjekësinë Familjare”.
Risi e këtij konkursi, siç tha Vitia, është poentimi përmes sistemit digjital.
“Kandidatët do t’i plotësojnë të dhënat në formë elektronike dhe sistemi do t’i përllogarisë pikët sipas kritereve të konkursit. Pas verifikimit nga Bordi, secili kandidat do të ketë qasje në pikët e veta. Së shpejti do të shpallim edhe një konkurs të ri për shkollim specialistik për nevojat e institucioneve shëndetësore private. Më shumë mundësi për mjekët tanë, më shumë transparencë në proces”, shkroi Vitia.