Neglizhenca dhe mosveprimi në Prokurori, KPK-ja arsyeton suspendimin e kryeprokurores dhe prokurores së rastit

Neglizhenca dhe mosveprimi në Prokurori, KPK-ja arsyeton suspendimin e kryeprokurores dhe prokurores së rastit

Aktuale October 30, 2026 - 12:35

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka suspenduar menjëherë nga detyra edhe kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, në kuadër të hetimeve disiplinore për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj.

Vendimi është marrë të enjten, më 29 tetor 2026, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës së kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, për inicimin e procedurës disiplinore ndaj saj.

Sipas vendimit të KPK-së, Vuçetaj është suspenduar menjëherë nga ushtrimi i detyrave zyrtare, me 50 për qind të pagës, deri në një vendim tjetër të Këshillit Prokurorial.

Kërkesa për hetime disiplinore është bazuar në raportin A. nr. 379/2026, të hartuar nga Koordinatori për Dhunë në Familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, gjatë gjithë kohës sa ishte në pozitën e udhëheqëses së kësaj prokurorie, kishte pranuar kërkesa nga viktima A.Z., e cila tashmë ka vdekur, dhe ishte në dijeni për urgjencën e tyre dhe rrezikun që i kanosej jetës së saj.

Sipas vlerësimit të autoritetit kompetent, Vuçetaj ishte në dijeni për të gjitha raportet e prokurorëve që kishin trajtuar rastet në të cilat A.Z. kishte qenë palë e dëmtuar, si dhe për raportet zyrtare të Policisë së Kosovës lidhur me nivelin e rrezikshmërisë ndaj saj.

Po ashtu, në vendim thuhet se kryeprokurorja ishte njoftuar përmes Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryesuesit Arian Gashi dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët kishin kërkuar trajtimin e kërkesave urgjente të viktimës.

Megjithatë, sipas arsyetimit të KPK-së, Vuçetaj kishte dështuar të ndërmerrte veprimet prokuroriale të kërkuara me ligj dhe nuk kishte marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara nga viktima.

KPK: Neglizhenca e vazhdueshme kishte pasoja fatale

Në vendimin e Këshillit Prokurorial thuhet se autoriteti kompetent ka vlerësuar se veprimet dhe mosveprimet e kryeprokurores përbëjnë shkelje të nenit 6, paragrafi 1, pika 1.3, si dhe paragrafit 2, pikat 2.1 dhe 2.5 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Në mënyrë të veçantë, në arsyetim citohet dispozita ligjore që përcakton përgjegjësinë për mosmarrjen parasysh të të drejtave të dëshmitarëve ose palëve të dëmtuara, veçanërisht për marrjen e masave për mbrojtjen e jetës, sigurisë dhe privatësisë së tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në këtë kontekst, në vendim thuhet se si pasojë e neglizhencës së vazhdueshme të kryeprokurores Lumturije Vuçetaj në trajtimin e kërkesave urgjente të palës së dëmtuar, kishin ardhur pasojat fatale për tashmë të ndjerën A.Z.

Autoriteti kompetent ka vlerësuar gjithashtu se veprimet e Vuçetajt janë në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe me Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë.

Kryeprokurori i Shtetit kërkoi suspendimin e saj

Më 29 tetor 2026, kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, i ka paraqitur KPK-së kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore ndaj Lumturije Vuçetajt, së bashku me rekomandimin për suspendimin e saj.

Sipas arsyetimit të vendimit, suspendimi është konsideruar i nevojshëm për shkak të seriozitetit të shkeljeve të supozuara disiplinore dhe për të siguruar integritetin dhe efektivitetin e hetimeve disiplinore.

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka miratuar kërkesën e kryeprokurorit të Shtetit dhe ka vendosur për suspendimin e menjëhershëm të kryeprokurores së Pejës, me 50 për qind të pagës.

Vendimi hyn në fuqi ditën e miratimit, ndërsa Sekretariati i KPK-së është obliguar që ta publikojë atë në faqen zyrtare të institucionit brenda 15 ditësh. /BetimipërDrejtësi