Kosova gati për Gazën, pret thirrjen e ISF-së
Kosova është e gatshme të dërgojë ushtarë në Rripin e Gazës, por dislokimi i tyre varet nga zhvillimet brenda Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës për të përditshmen izraelite The Times of Israel.
Sipas përgjigjes të ministrisë, kontributi i Kosovës në ISF do të përfshijë një skuadër për çminimin e mjeteve shpërthyese (EOD), një komandant të kontingjentit që do të shërbejë si oficer ndërlidhës, si dhe personel shtesë. Megjithatë, ajo nuk ka bërë të ditur numrin e përgjithshëm të pjesëtarëve të FSK-së që do të dërgohen në Gazë.
“Ekipi i EOD-së është gati për dislokim dhe do të niset sapo ISF-ja të jetë e gatshme për ta pranuar. Koha e dislokimit do të përcaktohet nga ISF-ja, në koordinim me autoritetet përkatëse dhe në përputhje me gatishmërinë e ISF-së”.
Kosova për momentin ka gjashtë ushtarë në ISF, të stacionuar në Kerem Shalom, në kufi me Gazën. Shqipëria dhe Kazakistani do të kontribuojnë gjithashtu me ushtarë në ISF. Maroku do të jetë i pari prej tyre që do t’i dislokojë ushtarët e saj brenda Gazës.
Në terren, mandati operativ i ISF-së është projektuar për të garantuar ndarjen fizike të forcave izraelite (IDF) nga zonat e kontrolluara nga Autoriteti i Përgjithshëm i Administratës Civile të Gazës (NCAG). ISF nuk do të kryejë asnjë lloj misioni policor apo ndërhyrje në strukturën e brendshme shoqërore palestineze, sipas udhërrëfyesit të mbështetur nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Detyrat kryesore të ISF-së përfshijnë monitorimin e vazhdueshëm të armëpushimit, mbështetjen dhe trajnimin e policisë së re palestineze, si dhe garantimin e sigurisë për mbrojtjen dhe dërgimin e ndihmave humanitare dhe furnizimeve esenciale në Gazë.