Serbët e Kosovës votuan 71,63 për qind për listën e Vuçiqit

Serbët e Kosovës votuan 71,63 për qind për listën e Vuçiqit

Aktuale October 27, 2026 - 16:56

Humbja e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi dhe mundësia e formimit të një qeverie të re nga Lista Studentore kanë ngritur pikëpyetje për të ardhmen e politikës së Beogradit ndaj Kosovës, ndërkohë që votuesit serbë të Kosovës edhe në këto zgjedhje i kanë ‘qëndruar besnik’ Aleksadar Vuçiqit.

Sipas një artikulli të gazetës serbe ‘Danas’, votuesit në 60 qendra votimi në zonat përreth Tutinit, Vranjës, Kurshumlisë dhe Rashkës (ku votuan serbët e Kosovës) i kanë dhënë Listës “Serbia e Bashkuar”, të udhëhequr nga Vuçiqi, 71,63 për qind të votave.

Sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, me 58 nga 60 vendvotime të përpunuara për rajonin e Kosovës, pjesëmarrja ishte 64,8 për qind. Lista e Vuçiqit mori 71,63 për qind të votave, ndërsa Lista Studentore 21,09 për qind. Partia Socialiste e Serbisë mori 3,16 për qind.

Megjithatë, Lista Studentore shënoi rezultat më të mirë në Zveçan dhe në pjesën veriore të Mitrovicës, ku mori më shumë se 32 për qind të votave.

Marko Jakshiq nga lëvizja e serbëve të Kosovës “Otadëbina”, e cila mbështeti Listën Studentore, vlerësoi për Danas se votat e serbëve të Kosovës për Vuçiqin nuk e arsyetojnë politikën e tij ndaj Kosovës.

“Nuk ka asnjë justifikim për faktin që serbët e Kosovës i dhanë Vuçiqit më shumë vota, edhe pse ata janë viktimat dhe vuajtësit më të mëdhenj të politikave të tij të pabesë. Në psikiatri, kjo quhet masokizëm politik. Është një fenomen i veçantë. Të dielën, e kalova gjithë ditën duke pritur - një orë e gjysmë për të dalë dhe po aq për të hyrë në Kosovë dhe tre orë të tjera në radhë për të votuar në Ribariç, duke parë të gjithë ata njerëz, të cilët në fakt ‘nuk po votojnë për një hero, por për një copë bukë’ dhe privilegjet që kanë”, tha Jakshiq.

Ai ka thënë se beson se serbët nga Kosova që votuan për Vuçiqin të dielën "nuk do ta kenë të vështirë të ndryshojnë mendimin e tyre politik dhe të votojnë për ata që vijnë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme presidenciale".

“Kjo vlen edhe për Listën Serbe dhe kryetarët e tyre të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Vetë SNS nuk do të jetë një opozitë e fortë në parlamentin serb, siç pretendon Vuçiq, sepse do të shpërbëhet kur të fillojnë gjyqet e para për plaçkitje dhe korrupsion”, thotë Jakshiq.

Kur u pyet se çfarë pret nga Lista e Studentëve dhe qeveria e saj, sepse Memorandumi i Studentëve serbë të Kosovës, i cili u mbështet vetëm nga serbët e Kosovës, nuk u përmend shumë në fushatën zgjedhore, Jakshiq u përgjigj se gjëja më e rëndësishme për Kosovën është që qeveria e re t'i përmbahet Kushtetutës serbe, teksa tha se Lista Studentore nuk e ka vënë theksin te çështja e Kosovës gjatë fushatës, për të mos shkaktuar përplasje me Bashkimin Evropian, shumica e shteteve anëtare të së cilës e kanë njohur Kosovën si shtet.

Analisti politik Dushan Janjiq vlerësoi se qeveria e re serbe do të përballet me kufizime të trashëguara nga qeveritë e mëparshme dhe do të ketë nevojë për guxim diplomatik e politik, si dhe për një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, prioriteti i parë i qeverisë së re nuk do të jetë Kosova, por stabilizimi i institucioneve të Serbisë. Megjithatë, ai theksoi se qeveria duhet të marrë parasysh detyrimet ndërkombëtare dhe pasojat e vendimeve të mëparshme.

“Nuk dihet sigurt nëse Ana Brnabiq nënshkroi Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve me Prishtinën me Drejtorinë e BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë, e cila është një tradhti. Por edhe nëse është nënshkruar, nuk është e vlefshme, sepse nuk përfshin Kapitullin 35 për Serbinë. Procedura është e tillë që kur marrëveshja të finalizohet, Serbia ka edhe tre vjet për të harmonizuar legjislacionin dhe kushtetutën e saj me të, dhe vetëm atëherë mund ta njohë në mënyrë të njëanshme Kosovën. Qeveria e re e Serbisë, prioriteti së cilës nuk do të jetë Kosova, por stabilizimi i institucioneve, duhet të llogarisë në shumë nga dështimet e paraardhësve të saj, detyrimet ligjore ndërkombëtare, si dhe faktin se pritjet dhe premtimet e disa serbëve nga Kosova janë përtej realitetit”, tha Janjiq për Danas.

Ai tha se qeveria e re duhet të caktojë një negociator zyrtar për Kosovën dhe të përcaktojë qartë parimet e kërkesat e Serbisë në dialog. Ai kritikoi praktikën e deritanishme të zhvillimit të negociatave larg publikut.