Hoxha: Arlinda i besoi shtetit, por shteti nuk arriti ta mbrojë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka kërkuar hetim, transparencë dhe përgjegjësi për çdo neglizhencë apo mosveprim institucional lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar ndihmë nga Prokuroria Themelore në Pejë para se të vritej.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Hoxha ka kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e Arlindës, duke theksuar se ajo kishte raportuar frikën, dhunën dhe rrezikun që i kanosej, ndërsa shpresa e saj e fundit për mbrojtje kishte qenë shteti.
“Një shtet që nuk arriti të mbroj një grua që kërkoi ndihmë. Arlinda Zekaj para se t’i mbyllte sytë përgjithmonë, i kishte shkruar Prokurorisë Themelore në Pejë, kishte treguar për frikën e saj, për dhunën dhe rrezikun që i kanosej. Ajo kishte thënë se shpresa e saj e fundit për mbrojtje ishte shteti. A mund ta imagjinoni se çka mund të thotë kjo, të jetosh me frikë, të kërkosh ndihmë, të mbledhësh guximin për t’ju drejtuar shtetit, t’i besosh shtetit se më në fund dikush mund ta mbrojë dhe në fund të mos jesh më gjallë. Arlinda i besoi shtetit, por shteti nuk arriti ta mbrojë atë”, tha Hoxha.
Ajo ka thënë se rasti i Arlindës dëshmon pasojat e rënda që mund të ketë mosveprimi institucional, duke kërkuar që përgjegjësit të japin llogari dhe që dhuna ndaj grave të trajtohet si çështje e sigurisë publike, e jo si çështje private.
“Ajo grua nuk është më, një familje është shkatërruar dhe ne kemi dhe një emër tjetër kur thirrje për ndihmë nuk dëgjohen me kohë, kur shteti nuk vepron, kur neglizhenca institucionale shndërrohet në dhunë institucionale dhe merr jetë.. Edhe sa gra të tjera nuk duhet të jenë me ne, duhet të vriten që institucionet tona të kuptojnë se dhuna ndaj grave nuk është çështje private, është alarm shtetërorë. Ne kemi ligje, u fol për to, kemi urdhra mbrojtjes, por ligjet që nuk zbatohen, duket se nuk i shpëtojnë gratë. Prandaj, sot nuk mjaftojnë as ngushëllimet, dënimi i krimit, as fjalimet tona këtu nuk mjaftojnë. Duhet të ketë hetim, transparencë, përgjegjësi për çdo neglizhencë dhe mosveprim institucional”, tha Hoxha.
