Rexhepi: Grave nuk u nevojiten vetëm deklaratat pas tragjedive
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilija Rexhepi, ka kërkuar shqyrtim të pavarur të veprimeve të institucioneve përgjegjëse pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar nevojën për masa konkrete në parandalimin e dhunës ndaj grave.
Në seancën e Kuvendit, Rexhepi tha se rasti është veçanërisht shqetësues, pasi, sipas saj, viktima tri ditë para vrasjes i ishte drejtuar prokurorisë duke kërkuar veprim urgjent, ndërsa ditën e ngjarjes kishte raportuar edhe dhunën në familje.
Ajo theksoi se gjatë këtij viti tetë gra kanë humbur jetën në rrethana të dhunshme në Kosovë, ndërsa vetëm gjatë tetorit janë shënuar tri raste të vrasjeve të grave.
Rexhepi kërkoi që të shqyrtohen veprimet e organeve kompetente dhe të përcaktohet përgjegjësia eventuale për lëshimet institucionale.
“Grave nuk u nevojiten vetëm deklaratat pas tragjedive, atyre u nevojitet mbrojtja efektive sa janë ende të gjalla”, u shpreh ajo.
Ajo bëri thirrje edhe për më shumë edukim dhe vetëdijesim shoqëror për të drejtat e grave, barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës, duke vlerësuar se ndryshimi duhet të nisë në familje dhe të vazhdojë në shkolla e institucione.
Rexhepi ngriti shqetësimin edhe për gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet ndaj grave në rrjetet sociale, duke kërkuar nga Prokuroria e Shtetit dhe Komisioni i Pavarur për Media që të veprojnë brenda kompetencave të tyre ligjore.
Në fund, ajo theksoi se mbrojtja e grave është çështje e të drejtave themelore të njeriut dhe e përgjegjësisë shtetërore.
“Kur një grua kërkon mbrojtje, përgjigja e shtetit duhet të jetë siguria e jo një tjetër shprehje ngushëllimi”, përfundoi Rexhepi.