Mbyllen vendvotimet në Serbi, mbi 67% pjesëmarrja deri në orën 19:00

Mbyllen vendvotimet në Serbi, mbi 67% pjesëmarrja deri në orën 19:00

Aktuale October 25, 2026 - 20:49

Vendvotimet në Serbi janë mbyllur në orën 20:00, ndërsa qytetarët që në atë moment ndodheshin në radhë do të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës.

Sipas organizatës CRTA, deri në orën 19:00, pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Serbi ka arritur në 67,8 për qind.

Ndërkaq, sipas vlerësimit të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), deri në orën 19:00, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi kanë votuar 67,6 për qind e votuesve.

Sipas të dhënave të CeSID/Ipsos, pjesëmarrja në votime deri në orën 19:00 në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 ishte 50,3 për qind, në vitin 2016 ishte 52,9 për qind, në vitin 2020 ishte 44,9 për qind, në vitin 2022 ishte 54,6 për qind, ndërsa në vitin 2023 ishte 55,9 për qind./RTK