Haxhiu: Nesër ditë e rëndësishme për Luginën
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Nesër ditë e rëndësishme për Luginën

Aktuale October 24, 2026 - 18:34

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi dhe të mbështesin Koalicionin Shqiptar, me numër 17.

Haxhiu ka thënë se bashkimi i partive shqiptare në një listë të përbashkët përbën një hap të rëndësishëm për përfaqësimin politik të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ajo ka theksuar se tashmë partitë shqiptare e kanë bërë pjesën e tyre duke u bashkuar, ndërsa përgjegjësia u takon qytetarëve që këtë bashkim ta mbështesin përmes votës.

Ajo ka vlerësuar se përfaqësimi politik, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve dhe ngritja e zërit kundër padrejtësive mbeten çështje me rëndësi të veçantë për Luginën e Preshevës.

Haxhiu u ka bërë thirrje edhe shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, por që kanë të drejtë vote në Serbi, të udhëtojnë drejt Luginës dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

Sipas saj, pjesëmarrja e qytetarëve në votime është e rëndësishme për të fuqizuar përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

Partitë shqiptare në Luginë të Preshevës do të garojnë në këto zgjedhje me një listë të përbashkët, të emërtuar Koalicioni Shqiptar.

Në zgjedhjet e vitit 2020, partitë shqiptare garuan të bashkuara dhe siguruan tri ulëse në Kuvendin e Serbisë, i cili ka 250 deputetë.