Tirana nesër me tri protesta, në tubime pedagogët, studentët dhe PD-ja

Tirana nesër me tri protesta, në tubime pedagogët, studentët dhe PD-ja

Aktuale October 23, 2026 - 16:27

Kryeqyteti do të jetë nesër vendi i tri protestave të njoftuara, me nisje të parashikuar në orare të ndryshme. Në tubime do të përfshihen pedagogët, studentët dhe Partia Demokratike.

Bëhet e ditur se të parët do të protestojnë pedagogët. Mbledhja e tyre është parashikuar në orën 10:00, jashtë oborrit të Universitetit Politeknik, për të vijuar më pas, sipas pritshmërive, me një marshim drejt Kryeministrisë.

Për studentët e Mjekësisë, nisja e protestës pritet në orën 11:00 ose 12:00. Me përkrahjen edhe të grupimeve të tjera studentore, ata do të marshojnë në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Në mbështetje të studentëve, Partia Demokratike ka thirrur protestën e saj kombëtare, fillimi i së cilës është njoftuar për në orën 12:00.

Sipas njoftimeve, të tria tubimet do të kenë karakter paqësor. Mbetet për t’u parë të shtunën se si do të rrjedhin protestat dhe çfarë dinamike do të shfaqin. /albeu