Presidentja e ktheu Ligjin për Specialen, Kryeziu: Kushtetuta ia lejon vetëm një herë
Foto: Laura Hasani

Presidentja e ktheu Ligjin për Specialen, Kryeziu: Kushtetuta ia lejon vetëm një herë

Aktuale October 22, 2026 - 19:47

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka bazë kushtetuese për ta kthyer një herë në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Kryeziu, në një prononcim për Telegrafin, ka ka kritikuar partitë politike për mënyrën se si po trajtojnë çështjet shtetërore.

"Në aspektin kushtetues, presidentja ka bazë kushtetuese me e kthye vetëm njëherë Ligjin, derisa në aspektin politik partitë tona nuk janë serioze për çështje që kanë të bëjnë me shtetin", ka deklaruar Kryeziu.

Presidentja Shiroka-Pula ka vendosur të enjten, më 22 tetor, ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim, pas një kërkese zyrtare të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), si sponsorizuese e tij.

Sipas Presidencës, rishqyrtimi do të përqendrohet në disa dispozita që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe në garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

Në arsyetimin e vendimit, presidentja ka vlerësuar sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ajo ka ritheksuar gjithashtu kundërshtimin ndaj përpjekjeve për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës dhe karakterin çlirimtar të luftës.

Vendimi ka nxitur reagime nga përfaqësues të partive politike.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar partia e tij gjatë debatit për ligjin.

“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka thënë se LDK-ja është paraqitur padrejtësisht si kundërshtare e UÇK-së dhe ka mbrojtur qëndrimin e partisë së tij, duke theksuar se lufta çlirimtare duhet të mbrohet “me punë e me mend”.

Ndërkaq, ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka cilësuar kthimin e ligjit në Kuvend si “turp të madh dhe goditje të rëndë për Kosovën”.

“Të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj loje, turpi i mbuloftë për jetë”, ka shkruar Haradinaj.

Reagim ka pasur edhe nga ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë kryesisë së partisë deri në mesnatë dhe mbledhjen e Këshillit Drejtues brenda 48 orëve për caktimin e një kryesie të përkohshme.

Haxhiu ka thënë se çështja e UÇK-së, fati i krerëve të saj dhe e ardhmja e Kosovës nuk duhet të përdoren për interesa politike, duke kërkuar përgjegjësi dhe vendime konkrete nga udhëheqja e PDK-së.

Ndërkohë, Presidenca ka bërë të ditur se presidentja po vazhdon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me synimin e bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

PDK-ja ka deklaruar se synon që, pas rishqyrtimit dhe plotësimeve të nevojshme, ligji të miratohet sërish brenda pak javësh. /telegrafi