Kamberi kërkon angazhim të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë për Luginën
Bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar, Shaip Kamberi, ka bërë thirrje për mobilizim të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, me synimin për të rritur përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Serbisë.
Në një intervistë për RTK-në, Kamberi ka thënë se bashkimi i partive politike shqiptare në një listë të përbashkët synon fuqizimin e zërit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe adresimin e kërkesave të tyre ndaj institucioneve të Serbisë.
Ai ka theksuar se shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim sistematik, ndërsa ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se i paraqet ata si armiq.
Kamberi ka ftuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, si dhe bashkëvendasit e tyre që jetojnë e punojnë në Kosovë, të marrin pjesë në votime dhe të mbështesin Koalicionin Shqiptar me numrin 17.
“Do të tentojmë tre e më tepër”, ka thënë Kamberi, duke iu referuar synimit për të siguruar më shumë se dy mandate në Kuvendin e Serbisë.
Ai ka kërkuar gjithashtu nga Kosova dhe Shqipëria hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore për Luginën e Preshevës dhe jetësimin e fondit të përbashkët për këtë rajon, për të cilin ka thënë se ishte votuar në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive në Prizren, vite më parë.
RTK: Jeni mbledhur në një koalicion shqiptar që garoni për zgjedhjet e 25 tetorit, më në fund të gjithë bashkë drejt një suksesi që presim të arrijmë në ditën e zgjedhjeve. Dhe si e vlerësoni këtë 25 tetor, këtë datë të zgjedhjeve, edhe pse keni kaluar prej vitesh në disa procese zgjedhore atje?
Shaip Kamberi: Po së pari është e rëndësishme kjo që të gjitha partitë politike më në fund janë pjesë e një liste, një përpjekje e përbashkët në një luftë drejt regjimit autoritar në Serbi, cenimit të të drejtave të njeriut, cenimit të të drejtave tona që në vazhdimësi Republika e Serbisë i bën. Dhe kjo jep shpresë për një fuqizim të pjesëmarrjes tonë parlamentare dhe një fuqizim të zërit të shqiptarëve jo vetëm në parlamentin e Serbisë, por edhe në arenën ndërkombëtare, që është një synim i vazhdueshëm i yni në vitet e fundit për ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës, meqë në Beograd ndër vite me radhë, dekada me radhë, nuk kemi arritur të gjejmë zë të arsyeshëm i cili do të dëgjonte dhe do të ulej me shqiptarët për t'i zgjidhur problemet që janë jetike për të ardhmen tonë.
RTK: Një bashkim i shumëpritur dhe që më në fund ndodhi, por gjithsesi ishte edhe një fushatë goxha e lodhshme. Në çfarë sfidash kaluat gjatë gjithë këtyre ditëve të fushatës dhe si ishte terreni? Ishte i egër, i ashpër, agresiv në ato ku keni bërë fushatë, në ato zona?
Shaip Kamberi: Kësaj here fushata është më relaksuese në aspektin se të gjitha partitë janë pjesëmarrëse, pra secila prej tyre me kontributin e vet mundohet që të kemi një sukses sa më të mirë. Një fushatë e egër ndaj nesh është duke u zhvilluar nga ish-presidenti i Serbisë dhe kandidati aktual për kryeministër të Serbisë nga partia SNS, Aleksandër Vuçiq, i cili bashkimin e shqiptarëve e paraqet si një armiqësi, përfshirje të forcave të huaja dhe si forca të cilat tentojnë ta destabilizojnë Serbinë. Në fakt, ne kemi për qëllim ta fuqizojmë zërin tonë në parlament, ta fuqizojmë pjesëmarrjen dhe duke fuqizuar pjesëmarrjen edhe të adresojmë sa më të fuqishme kërkesat të cilat i kemi dhe të cilat i kemi shtruar ndaj Serbisë ndër vite. Këto nuk janë vetëm kërkesa që burojnë nga legjislacioni i brendshëm, nga standardet ndërkombëtare, janë edhe kërkesa të cilat burojnë nga katër marrëveshjet politike të cilat i kemi arritur me qeveritë në Beograd e të cilat nuk po zbatohen. Dhe Aleksandër Vuçiq duket na cilësuar si armiq, me epitete të ndryshme si ekstremistë personalisht edhe mua dhe listën, po mund mundet që të na paraqesë si armiq në mënyrë që në fushatën e vet apo në mandatin e ri potencial të vetin ta arsyetojë edhe më tutje diskriminimin e vazhdueshëm dhe sistematik që u bën shqiptarëve.
RTK: Domethënë dëgjimi i zërit të shqiptarëve të Luginës është kërkesa kryesore gjatë krejt kësaj fushate, po besoj që edhe mbase me rezultatin e zgjedhjeve do të mund të arrijmë diçka. Zoti Kamberi, cila është thirrja juaj për shqiptarët për datën 25 tetor, për shqiptarët e Luginës së Preshevës që presin një ndryshim dhe një përfaqësim më të lartë në parlamentin e Serbisë?
Shaip Kamberi: Është një fushatë e rëndësishme. Është, e kuptoj, është një fushatë e lodhshme sepse në 6 vitet e fundit kemi pasur katër herë zgjedhje parlamentare. Dhe nuk kemi pasur përgjigje adekuate në të gjitha kërkesat e tona, por megjithatë për ne është shumë me rëndësi që të fuqizojmë zërin tonë, të kemi numër më të madh të me mandateve. Nuk është betejë për një mandat, nuk është betejë për dy mandate, jo edhe për tre, do të tentojmë tre e më tepër. Pra, në këtë aspekt për ne është me rëndësi që çdo qytetar shqiptar që jeton në Luginën e Preshevës të dalë e t'i përgjigjet thirrjes për të votuar numrin 17, por edhe të gjithë bashkëvendasit tanë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë ditën e diel të vijnë atje, të japin dhe të na ndihmojnë që ta rrisim përfaqësimin parlamentar shqiptar dhe ta rrisim zërin e arsyes dhe të kërkesave të shqiptarëve në këtë drejtim.
RTK: Në 20 sekonda, çfarë prisni nga Kosova dhe nga Shqipëria në këtë rast?
Shaip Kamberi: Pres strategji të përbashkët shtetërore drejtuar Luginës së Preshevës dhe pres jetësimin e fondit të përbashkët për Luginën e Preshevës, si çështje e cila është votuar në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive vite më parë në Prizren.