Komisioni për Shëndetësi miraton ndryshimet buxhetore, përfshijnë pagën e 13-të

Komisioni për Shëndetësi miraton ndryshimet buxhetore, përfshijnë pagën e 13-të

Aktuale October 20, 2026 - 11:32

Komisioni për Shëndetësi ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

Projektligji mori gjashtë vota për, tri abstenime dhe asnjë votë kundër.

Anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Sylejman Meholli, tha se ndryshimet buxhetore përfshijnë 102 milionë euro shtesë, të cilat lidhen me pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik.

Sipas tij, këto mjete janë ndarë në kodin buxhetor 28900 dhe do të ndikojnë edhe në sektorin e shëndetësisë.

“Po flasim për 102 milionë euro shtesë që kanë ndikuar në kodin 28900 për pagën e 13-të në sektorin publik, e që do të angazhojnë profesionistë shëndetësorë, siç janë angazhuar vitin e kaluar”, tha Meholli.

Ai shtoi se përmes këtyre ndryshimeve do të bëhet edhe pagesa retroaktive e shtesës për përvojën e punës, në masën 0.5 për qind për çdo vit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për periudhën gjatë së cilës kjo shtesë nuk është paguar.

Gjatë mbledhjes, anëtarja e Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, kërkoi që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të raportojë para Komisionit për çështjet që lidhen me sektorin shëndetësor.

Ajo theksoi se raportimi i ministrit është i domosdoshëm për të adresuar kërkesat e ngritura, përfshirë çështjen e sigurimeve shëndetësore.

“Unë do ta shoh që duhet ta kemi në raportim ministrin. Është e paraparë në një vizitë, në fakt ftesë e Komisionit të raportojë në muajin nëntor, kështu që kjo kishte me qenë një pikë që kërkesat me i adresu”, tha Deliu-Kodra.

Ndërkaq, Naim Bardiqi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Ministria e Shëndetësisë është e përfshirë në ndryshimet buxhetore dhe se në projeksionet për vitet në vijim janë paraparë edhe çështje që lidhen me sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, furnizimin me produkte shëndetësore, shërbimet farmaceutike dhe kujdesin parësor shëndetësor.