Mustafa për situatën në Shqipëri: Dështimi i parë është presidenti i shtetit Begaj

Mustafa për situatën në Shqipëri: Dështimi i parë është presidenti i shtetit Begaj

Aktuale October 15, 2026 - 22:44

Studiuesi i filozofisë politike, Latif Mustafa, ka folur për protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe situatën politike në atje.

Sipas Mustafës, në situatën aktuale kanë ndodhur disa dështime institucionale, ndërsa si dështim të parë e ka renditur presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Dështimi i parë është presidenti i shtetit, zoti Begaj. Në këtë situatë kaq të tensionuar, ai nuk gjen një mundësi për t’i ftuar partitë politike që të ulen në një tryezë dhe të bisedojnë. Kjo tregon se presidenti i shtetit është nën kontrollin e kryeministrit dhe se të gjithë faktorët e tjerë, si tentakulat e pushteteve të caktuara në Shqipëri, janë nën kontrollin e një njeriu të vetëm”, u shpreh Mustafa.

Ai tha se dialogu politik, si brenda partive, ashtu edhe ndërmjet tyre, ka vdekur, duke vënë në pikëpyetje edhe rolin e institucionit të presidentit si kundërpeshë ndaj pushtetit ekzekutiv.

“Kjo do të thotë se dialogu politik, brendapartiak dhe ndërmjet partive në atë vend, ka vdekur. Institucioni i presidentit, si maja e shtetit, nuk funksionon si një lloj kundërpeshe ndaj kryeministrit”, tha ai.

Mustafa kritikoi gjithashtu gjendjen e demokracisë në Shqipëri, duke theksuar se ajo ka dështuar dhe po vazhdon të dështojë. Sipas tij, qytetarët e ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike përmes pjesëmarrjes në zgjedhje dhe angazhimit aktiv në protesta.

“Demokracia ka dështuar dhe po vazhdon të dështojë, sepse ajo realizohet në dy forma: përmes pjesëmarrjes pasive të qytetarit, duke votuar, dhe përmes pjesëmarrjes aktive, përmes protestave. Këto janë dy format përmes të cilave njeriu e ushtron të drejtën e tij demokratike në një hapësirë publike të lirë”, deklaroi Mustafa. /Tëvë1