Bajqinovci: Kosova ka stabilizuar institucionet
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Siguri, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se zgjedhja e presidentes së vendit ka ndihmuar në stabilizimin e institucioneve të Kosovës, pas një periudhe të gjatë të krizës politike.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Siguri, Mefail Bajqinovci, ka vlerësuar se zgjedhja e presidentes së Kosovës, Justina Pula, ka ndihmuar në tejkalimin e krizës politike dhe stabilizimin e institucioneve të vendit.
Bajqinovci e cilësoi marrëveshjen ndërmjet pozitës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentes si një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të institucioneve.
“Fatmirësisht, në para disa ditëve, në një seancë maratonike, në orët e fundit është zgjedhur presidente e vendit, profesoresha Justina Pula. Mendoj që Kosova arriti të stabilizojë institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast pozitë dhe opozitë ranë dakord që ta kemi një president konsensual”, tha Bajqinovci.
Ai vlerësoi pozitivisht fillimin e punës së legjislaturës së re, duke theksuar se Kuvendi duhet të jetë hapësirë e debatit, kritikave dhe kundërshtimeve, ku vendimet merren në interes të qytetarëve dhe vendit.
“Kuvendi i Kosovës është arenë ku japin mendime, kundërshtime, kritika dhe votohen ligjet për të mirën e vendit. Unë jam shumë i gëzuar dhe u jam mirënjohës secilit që ka kontribuar në këtë për ta zgjedhur presidenten e vendit”, deklaroi ai.
Duke folur për agjendën legjislative, Bajqinovci tha se institucionet po përballen me afate të shkurtra për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve. Sipas tij, përfundimi i procedurave është i rëndësishëm për të shmangur humbjen e fondeve dhe për të vazhduar procesin e integrimit evropian.
Bajqinovci u shpreh optimist se projektligjet do të marrin votat e nevojshme dhe se institucionet do të vazhdojnë punën e tyre.
“Prandaj unë mendoj që tashmë nuk do të ketë problem. Votat janë, ligjet do të kalojnë dhe normalisht vendi do të ecë përpara me të gjitha kapacitetet legjislative, por edhe ekzekutive”, deklaroi deputeti i LVV-së.
Bajqinovci foli edhe për vendimin që vendi të mos shkojë në zgjedhje, duke argumentuar se prioritet duhej të ishte vazhdimi i funksionimit institucional dhe angazhimi i profesionistëve për trajtimin e çështjeve të hapura ligjore.
Ai mohoi që vendimmarrja të jetë ndikuar nga frika apo presioni politik.
“Unë mendoj që nuk ka të bëjë me presion, nuk ka të bëjë me frikë. Të siguroj, të paktën sot ditën kam qenë prezent, nuk ka të bëjë me atë punë. Ka të bëjë mos me shkuar vendi në zgjedhje, mos me u bërë katrahurë”, tha Bajqinovci.
Shala: Kosovës i duhet uniteti politik
Ndërkaq, analisti Ibrahim Shala vlerësoi se zgjedhja e presidentes krijon mundësi për rikthimin e funksionimit të plotë të institucioneve dhe normalizimin e jetës politike në vend.
Sipas tij, periudha e vakumit institucional ka ndikuar negativisht në sistemin demokratik, prandaj nevojitet bashkëpunim ndërmjet partive politike dhe mobilizim i institucioneve shtetërore.
“Sigurisht se ky vakum i madh edhe e ka lënduar sistemin tonë demokratik për dy vjet me heqje të tilla edhe me zhvillime të tilla çfarë i kemi pasur ne”, tha Shala.
Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së bashkëpunimit ndërmjet forcave kryesore politike në Kuvend.
“Prandaj, neve na duhet uniteti i parlamentit tonë, na duhet funksionaliteti i qeverisë dhe mobilizimi i të gjitha forcave edhe politike edhe shtetërore”, deklaroi Shala.
Të dy të ftuarit vlerësuan rëndësinë e funksionimit të institucioneve dhe bashkëpunimit politik, në një periudhë kur vendi përballet me afate të rëndësishme legjislative dhe sfida në procesin e integrimit evropian.
Maloku: Shtatë sfida kërkojnë bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës
Profesori Fadil Maloku ka thënë se mbetet të shihet nëse bashkëpunimi i arritur ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes do të ndikojë në konsolidimin e institucioneve dhe në ndërtimin e një kulture demokratike të komunikimit.
Maloku ka vlerësuar se bashkëpunimi ndërmjet pozitës dhe opozitës nuk duhet të kufizohet nga interesat e përditshme politike.
“Pra, përtej retorikës se institucionet, në njëfarë mënyre, po normalizohen, unë jam kureshtar të shoh se cilët janë treguesit konkretë”, ka thënë Maloku.
Ai ka përmendur shtatë sfida ku, sipas tij, duhet të përqendrohen qeveria dhe opozita: Dhomat e Specializuara, Asociacioni, raportet mes Uashingtonit dhe Brukselit, resurset njerëzore, problemet ekonomike dhe punësimi, emigrimi, si dhe krimi, korrupsioni dhe sundimi i ligjit.
“Unë mendoj se bashkërisht, si opozita, ashtu edhe qeveria aktuale, do të duhej të orientoheshin në këto pika, por edhe në pika të tjera”, ka deklaruar Maloku. /rtk