Kuvendi mblidhet nesër, në rend dite BQK-ja, RTK-ja dhe projektligji kundër pastrimit të parave
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare nesër duke filluar nga ora 10:00.
Sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë disa çështje, përfshirë përzgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, transmeton Zeri.info.
Në rend dite është përfshirë edhe propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Rendi i plotë i ditës:
Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme;
Deklarimet jashtë rendit të ditës;
Pyetjet parlamentare;
Përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës;
Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet joshumicë në Bordin e RTK-së;
Propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare;
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.