Sinani: Mbështetja financiare e Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar rikthehet për shqyrtim për herë të tretë
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se mbështetja financiare e Qeverisë së Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar për vitin 2026 do të shqyrtohet sërish në mbledhjen e shtatë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi, Sinani ka theksuar rëndësinë e kësaj mbështetjeje për shqiptarët e Preshevës dhe të gjithë Luginës, duke vënë në pah ndikimin që këto mjete kanë në arsim, mundësitë për të rinjtë dhe realizimin e projekteve në shërbim të komunitetit shqiptar.
Sipas Sinanit, kjo çështje po rikthehet për shqyrtim për herë të tretë, pas bllokimeve që, sipas saj, kanë ndodhur në muajin janar dhe gusht.
Ajo ka shprehur mirënjohje për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Qeverinë e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm lidhur me këtë mbështetje.
Sinani ka theksuar se Komuna e Preshevës, së bashku me Këshillin Kombëtar Shqiptar, do të vazhdojë të angazhohet që mjetet financiare të arrijnë te shqiptarët e Luginës.
“Qytetarët tanë nuk duhet të mbeten peng i bllokimeve”, ka shkruar Sinani, duke e përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Presheva dhe Lugina nuk janë vetëm!”.