Mblidhen disa komisione parlamentare, shqyrtohen ndryshimet buxhetore për vitin 2026
Foto: Laura Hasani

Mblidhen disa komisione parlamentare, shqyrtohen ndryshimet buxhetore për vitin 2026

Aktuale October 13, 2026 - 08:25

Disa komisione parlamentare të Kuvendit do të zhvillojnë sot mbledhje, ku ndër çështjet kryesore do të jenë ndryshimet e propozuara në buxhetin e vitit 2026, planet e punës dhe temat që lidhen me përgjegjësitë e tyre.

Në orën 10:00, Komisioni për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini do të trajtojë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, sa u përket fushave në kompetencë të tij.

Në të njëjtën kohë, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion do të diskutojë planin e punës për sesionin vjeshtor të vitit 2026.

Ndërkaq, Komisioni për Shëndetësi do të merret me miratimin e fushëveprimit të tij.

Mbledhje në orën 11:00 do të mbajë edhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i cili do të shqyrtojë projektligjin që parasheh ndryshime dhe plotësime në ndarjet buxhetore për vitin 2026.

Në orarin e njëjtë, Komisioni për Buxhet shqyrton projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Në orën 13:00, edhe tri komisione të tjera do të shqyrtojnë ndryshimet e propozuara buxhetore për vitin 2026 në fushat përkatëse.

Bëhet fjalë për Komisionin për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport; Komisionin për Arsim dhe Shkencë; si dhe Komisionin për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Ndërsa në orën 14:00 Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese shqyrton publikimin e thirrjes/ftesës publike për zgjedhjen dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.