Kurti: Kosova, ndër demokracitë më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor

Kurti: Kosova, ndër demokracitë më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor

Aktuale October 06, 2026 - 10:27

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova është bërë një nga demokracitë më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e lirive themelore.

Kurti i bëri këto deklarata në Forumin për Shoqëri Civile (CSF 2026), pjesë e iniciativës rajonale të Procesit të Berlinit, nën moton “Prova, jo premtime”.

“Për ne, bashkëpunimi rajonal bazohet gjithashtu në marrëdhënie të mira dhe evropiane fqinjësore, të cilat janë të mundshme vetëm kur fqinjët i respektojnë këto vlera. Shpesh, bllokadat në rajonin tonë burojnë pikërisht nga kjo, nga mospërputhja në vlera. Megjithatë, ne zgjedhim të udhëheqim me shembull dhe kjo fillon me demokracinë. Në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende po rrëshqasin drejt autokracisë, Kosova është bërë një nga demokracitë më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, duke forcuar sundimin e ligjit, luftuar korrupsionin dhe mbrojtur liritë themelore. Projekti Botëror për Drejtësi e rendit Kosovën të parën në rajon sa i përket qeverisjes së hapur, e cila mat se sa të hapura dhe të qasshme janë institucionet për qytetarët”, tha ai.

Kurti ka theksuar edhe rolin e shoqërisë civile dhe zgjedhjeve, duke thënë se Kosova ka përmbushur detyrimet në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Por qeverisja e hapur funksionon vetëm kur njerëzit e shfrytëzojnë atë dhe, në Kosovë, këtë e bën shoqëria jonë civile e gjallë. Ne jemi një demokraci zgjedhore me zgjedhje të lira, të drejta dhe konkurruese dhe, nëse ka diçka, kohët e fundit kemi pasur shumë zgjedhje. Gjithashtu, kemi përmbushur detyrimet në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe marrëveshjet e ratifikuara dhe masat e ndërmarra në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

“Kemi ratifikuar të pesë marrëveshjet për mobilitetin dhe protokollet e CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë, shërbimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Jemi bashkuar me Regjistrin Evropian për Cilësinë në Arsimin e Lartë, kemi futur sistemet e identifikimit elektronik dhe kemi përfshirë pikat tona më të ngarkuara kufitare në korsitë e gjelbra. Sa i përket lirisë së lëvizjes, Kosova veproi e para. Qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës tashmë mund të hyjnë në Kosovë me letërnjoftimet e tyre, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori i “Open Society Foundations Western Balkans”, Andi Dobrushi, tha se reformat nuk duhet të mbeten vetëm në dokumente dhe raporte, por duhet të reflektohen në jetën e qytetarëve.

“Një reformë nuk mund të përfundojë vetëm në një raport, nuk mund të përfundojë vetëm në dokumente dhe, megjithatë, të mbetet e papërfunduar në jetën e njerëzve. Detyra jonë është ta mbajmë të dukshme këtë distancë dhe të tregojmë se kush është përgjegjës për ta mbyllur atë. Prandaj, natyrisht, edhe këtë vit e kemi bërë punën tonë: gjashtë grupe pune, organizata dhe institute kërkimore nga të gjashtë vendet, me një draft të diskutuar në Podgoricë në korrik të këtij viti dhe me konsultime të mëtejshme që nga atëherë”, tha ai.

Dobrushi tha se dokumenti që do të prezantohet në samitin e ardhshëm në Podgoricë synon të paraqesë atë që është premtuar, realizuar dhe që ende mbetet për t’u bërë.

“Ajo që po udhëton nga kjo sallë drejt Podgoricës, në samitin që do të mbahet pas dy javësh, nuk është një listë dëshirash. Është një pasqyrë e asaj që është premtuar, asaj që është realizuar dhe asaj që ende mbetet për t’u bërë. Por çfarë po na tregon bota përreth nesh? Ballkani Perëndimor po diskutohet në kryeqytetet evropiane më seriozisht se në çdo kohë gjatë njëzet viteve të fundit. Jo sepse argumentet tona janë bërë më të mira, por sepse bota është bërë më e keqe”, potencoi Kurti. /eo