Haxhiu u bën thirrje protestuesve për qetësi: UÇK-ja nuk mbrohet me dhunë
Foto: Laura Hasani

Haxhiu u bën thirrje protestuesve për qetësi: UÇK-ja nuk mbrohet me dhunë

Aktuale October 05, 2026 - 12:13

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje protestuesve para Kuvendit të ruajnë qetësinë dhe karakterin paqësor të protestës.

“E drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë”, tha Haxhiu nga foltorja e Kuvendit.

“Dhuna e dëmton kauzën që të gjithë duam ta mbrojmë - atë të UÇK-së dhe të çlirimtarëve tanë. Vlerat e UÇK-së nuk mbrohen përmes dhunës”, tha ajo.

Thirrja e Haxhiut vjen pasi disa media raportuan për përplasje mes disa protestuesve dhe policisë.

Sipas raportimeve, protestuesit tentuan të hynin në oborrin e Kuvendit, në kohën kur disa deputetë po largoheshin nga ndërtesa.