Publikohet projektligji, ja çfarë ndryshimesh parashihen për Specialen
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është publikuar në faqen e Kuvendit të Kosovës.
Nisma, e cila tashmë është miratuar në lexim të parë, parasheh disa ndryshime thelbësore në funksionimin dhe juridiksionin e Speciales.
Ndër ndryshimet kryesore që parashihen:
* Ngushtimi i juridiksionit të Speciales, duke e lidhur atë me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011;
* Ndryshimi i periudhës kohore të juridiksionit, në 1 korrik 1999 - 31 dhjetor 2000;
* Kufizimi i juridiksionit territorial në veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës;
* Kufizimi i dënimit maksimal me burgim në 15 vjet;
* Transferimi tek institucionet e Kosovës i rasteve që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më kompetencë e Dhomave të Specializuara;
* Mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me juridiksionin;
* Mundësia që të dënuarit t'i vuajnë dënimet në Kosovë;
* Mundësia e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë.
Projektligji parasheh gjithashtu rishqyrtimin e juridiksionit të rasteve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve.
Kuvendi e miratoi projektligjin në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim. LDK-ja nuk mori pjesë në votim.
Ende nuk është e qartë nëse projektligji do të kalojë në lexim të dytë gjatë ditës së sotme.