Ish-bashkëluftëtari i Adem Jasharit: Kurti e Sveçla na i përtërinë plagët e luftës, s’ua kishim borxh gazin lotsjellës
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtari i Adem Jasharit, Xhevahir Geci, ka reaguar pas përdorimit të gazit lotsjellës ndaj protestuesve në Prishtinë.
Në një deklarim në RTV Dukagjini, Geci tha se në mesin e protestuesve kishte edhe fëmijë të dëshmorëve, si dhe persona të cilët kanë marrë plagë gjatë luftës.
Sipas tij, përdorimi i gazit lotsjellës ka rikthyer traumat dhe plagët e së kaluarës.
“Ka djem e vajza që janë fëmijë dëshmorësh. Ka burra e gra që janë me plagë në trup. E sot për së dyti ose së treti, Albin Kurti me Xhelal Sveçlën na i përtëritën plagët”, deklaroi Geci.
Ai tha se edhe vetë ishte prekur nga gazi lotsjellës gjatë protestës dhe se situata, sipas tij, kishte rrezikuar jetën e tij.
“Unë kam marrë plagë personalisht nga gazi lotsjellës. Edhe veç më kanë shpëtuar disa djem të rinj, se kam mundur të vdes sonte prej tymit që asnjëherë s’e kam provuar, përveç ’89-tën”, tha ai.
Geci iu drejtua edhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se protestuesit nuk e kishin provokuar situatën.
“Xhelal Sveçla na ka borxh. Nuk e kemi provokuar. Kjo nuk falet”, u shpreh Geci.