Deputetët njoftohen për takim të Komisionit për Legjislacion, në rend dite Ligji për Specialen

Deputetët njoftohen për takim të Komisionit për Legjislacion, në rend dite Ligji për Specialen

Aktuale October 04, 2026 - 14:39

Komisioni për Legjislacion pritet të mblidhet nesër në orën 08:00, ndërsa në rend dite do të jetë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se deputetëve u është dërguar mesazh me të cilin janë njoftuar për mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Sipas burimeve në njoftimin që u ka shkuar deputetëve thuhet se takimi do të mbahet nesër në orën 08:00.

Në rend dite është vetëm një pikë: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.Mbledhja vjen vetëm pak ditë pasi çështja e ndryshimit të këtij ligji ishte diskutuar në Komisionin për Legjislacion. Më 30 shtator, kryetari i Komisionit, Vigan Qorrolli, kishte bërë të ditur se projektligji i ishte përcjellë Ministrisë së Drejtësisë për mendim ligjor dhe kishte paralajmëruar se, pas kthimit në Kuvend, ai do të shqyrtohej me urgjencë nga Komisioni.

Ndërkohë, Qeveria ka dhënë mendimin e saj lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e saj.

Takimi i nesërm i Komisionit hap rrugën për procedimin e mëtejmë parlamentar të projektligjit që synon ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.