Gruda: Dhoma Kushtetuese në Hagë s'do të ketë juridiksion për ta shfuqizuar ligjin për Specialen
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, tha se ndryshimet e propozuara nga kjo parti në Ligjin për Dhomat e Specializuara ia heqin shprehimisht Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë kompetencën për ta shqyrtuar apo shfuqizuar ligjin.
Sipas tij, kjo kompetencë do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë.
Gruda e dha sqarimin përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pas reagimeve se ligji, pasi të miratohet, mund të dërgohet në Hagë dhe të shfuqizohet.
“Po e sqaroj: me ndryshimet që kemi propozuar në ligj, Dhomës së Specializuar Kushtetuese i është hequr shprehimisht kompetenca për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit, në çfarëdo forme”, shkroi ai.
Gruda e mbështet argumentin te Amendamenti nr. 24 i Kushtetutës. Sipas këtij amendamenti, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese vendos për referimet kushtetuese “në përputhje me ligjin e veçantë”. “Pra, vetë dispozita kushtetuese e lidh ushtrimin e këtij juridiksioni me ligjin e veçantë”, shkruan ai.
Mbi këtë bazë, sipas Grudës, neni 23 i projektligjit e kufizon Dhomën në Hagë vetëm te referimet kushtetuese që burojnë nga vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai shtoi se dispozita thotë shprehimisht se Dhoma “nuk ka juridiksion për kontrollin abstrakt (paraprak), konkret dhe incidental të kushtetutshmërisë së ligjeve ose Ligjit Nr. 05/L-053”.
I njëjti nen, sipas tij, ia jep Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë, kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji. Kjo vlen edhe për çdo ligj që ndryshon, plotëson ose shfuqizon Ligjin Nr. 05/L-053.
“Ajo nuk është një Gjykatë Kushtetuese e veçantë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por një Dhomë e Specializuar me juridiksion të posaçëm. Kontrolli kushtetues i akteve të Kuvendit, përfshirë këto ndryshime ligjore, i mbetet Gjykatës Kushtetuese në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë”, shkroi Gruda.