Kurti: Brenda javës do t’i përgjigjemi Kuvendit për iniciativën ligjore të PDK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria brenda kësaj jave pritet t’i kthejë përgjigje Kuvendit lidhur me iniciativën ligjore të PDK-së.
Në një konferencë për media, Kurti tha se iniciativa i është drejtuar Zyrës Ligjore të Kryeministrisë për opinion, ndërsa kjo e fundit ka kërkuar mendim nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave.
“Kemi një iniciativë ligjore nga PDK-ja. Kjo është çështje e Kuvendit që i është drejtuar Zyrës Ligjore për opinion në Kryeministri. Tash Zyra Ligjore në Kryeministri ka kërkuar mendim nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu edhe nga Departamenti për Buxhet nga Ministria e Financave. Kjo është procedura e rregullt”, tha Kurti.
Ai shtoi se përgjigjet nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave pritet të vijnë brenda kësaj jave, pas së cilës Qeveria do t’ia përcjellë përgjigjen Kuvendit.