Lutfiu për listën e përbashkët të shqiptarëve të Luginës: Bashkë jemi më të fortë

Lutfiu për listën e përbashkët të shqiptarëve të Luginës: Bashkë jemi më të fortë

Aktuale September 30, 2026 - 10:19

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka përshëndetur marrëveshjen e subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës për garimin me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Lutfiu, përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar marrëveshjen si “superlajm”, duke e krahasuar atë me Marrëveshjen e Tiranës.

“Ripërsëritet Marrëveshja e Tiranës, kësaj radhe në Prishtinë. Subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës dalin me një listë në zgjedhjet parlamentare në Serbi”, shkroi Lutfiu.

Ai përgëzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin në arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“Le të shërbejë kjo listë si model edhe për proceset e tjera që na presin, sepse bashkë jemi më të fortë. Hallet i kemi të njëjta dhe ato nuk mund t’i zgjidhim duke qenë të ndarë!”, shkroi Lutfiu. /Zëri