“Projektligji për Specialen”, Hamza tregon çfarë bisedoi me Kurtin

“Projektligji për Specialen”, Hamza tregon çfarë bisedoi me Kurtin

Aktuale September 28, 2026 - 12:50

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se çfarë është diskutuar në takimin e së dielës me kryeministrin Albin Kurti.

Hamza tha para mediave se në takim është diskutuar Projektligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Siç tha ai, pas aktgjykimit të 16 shtatorit, për PDK-në, por edhe për Kosovën, plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji është çështje me rëndësi, pasi lidhet me të ardhmen e vendit dhe tejkalon mandatet e një partie politike ose të një qeverie.

“Për çka kemi biseduar, po të tregoj, kemi biseduar për Projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ju e dini që pas datës 16 shtator, për PDK-në, por edhe për Kosovën, që lidhet për një periudhë kohore përtej një mandati që i tejkalon mandatet e një partie politike, që i kalon mandatet e një qeverie, është çështje që ka të bëjë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Është prioriteti më i lartë, plotësimi dhe ndryshimi i këtij ligji, dhe sigurisht, jo si çështje për me blloku, por si nevojë, si nevojë për me i ba korrektimet e caktuara, dhe për me kthy gjykatën brenda mandatit, dhe me i rregullu disa çështje që kanë dalë jashtë mandatit për çka është kriju kjo gjykatë edhe me amendamentin kushtetues”, tha Hamza.

Ai deklaroi njëherësh se PDK-ja është e gatshme të presë edhe pak kohë që Qeveria t’i përfundojë pjesët që lidhen me opinionin ligjor dhe çështje të tjera, ndërsa pret që i njëjti projektligj të trajtohet në një seancë të jashtëzakonshme, me dy lexime brenda së njëjtës ditë.