Kërkohet trysni ndërkombëtare për dorëzimin e Radoiçiqit e të tjerëve
Tre vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, rreshteri Afrim Bunjaku mbetet simbol i rezistencës së Policisë së Kosovës ndaj grupit terrorist serb. Derisa tre persona janë dënuar për pjesëmarrje në sulm, në krye të aktakuzës për 45 persona të tjerë ndodhet Milan Radoiçiq, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Ekspertët kërkojnë më shumë presion ndërkombëtar për adresimin e përgjegjësisë për këtë sulm.
Më 24 shtator 2023, në orët e para të mëngjesit, rreth 100 persona të uniformuar dhe të armatosur rëndë, të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, kishin hyrë në fshatin Banjskë të Zveçanit. Qëllimi i tyre ishte aneksimi i veriut të Republikës. Por plani nuk u eci ashtu siç e kishin planifikuar.
Në orën 02:30 të mëngjesit të së dielës së 24 shtatorit, një patrullë e Policisë së Kosovës kishte vërejtur dy kamionë që kishin bllokuar rrugën që të çon te Manastiri i Banjskës.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, së bashku me dy kolegë të tjerë, ishin nisur në drejtim të tyre dhe aty kishin filluar të shtënat nga grupi terrorist, i cili sulmoi policinë me breshëri plumbash dhe granata dore.
Në këtë përballje humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku, tani Hero i Kosovës, ndërsa mbeti i plagosur rëndë pjesëtari tjetër i Policisë, Alban Rashiti.
Përgjigjja e Policisë ndaj këtij formacioni paraushtarak serb ishte e fortë dhe profesionale. Arritën t’i vrisnin tre pjesëtarë të këtij grupi, derisa të tjerët ikën këmbë maleve të Banjskës, nga kishin ardhur.
Në krye të këtij grupi ishte Milan Radoiçiq, i cili vazhdon të jetë i lirë në Beograd dhe gëzon mbështetjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Për këtë arsye, njohës të sigurisë kërkojnë presion më të madh ndërkombëtar, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, për dorëzimin e tij para drejtësisë.
“S’kanë lobuar mjaftueshëm për masa dhe sanksione ndaj Serbisë dhe, normalisht, për dorëzimin e kryekriminelit, bashkë me të tjerët që janë në kërkim me fletëlëshimet e INTERPOL-it. Mendoj se në këtë drejtim jo pak faj kemi ne, por edhe BE-ja dhe partnerët tanë strategjikë nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura”, tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Njohës të tjerë të sigurisë dhe të aktualitetit politik theksojnë se Kosova duhet të jetë vazhdimisht vigjilente ndaj mundësisë së akteve të tjera destabilizuese nga Serbia.
“Serbia ka prirje që këto përvjetore t’i manifestojë në forma të ndryshme, me ndonjë akt vandal, me protesta të dhunshme apo edhe me një ofensivë politike kundër Republikës së Kosovës, prandaj gatishmëria duhet të jetë jo vetëm prej institucioneve të sigurisë, por edhe prej nivelit politik...”, tha mes tjerash Hysen Gecaj, njohës i sigurisë dhe politikës.
Për këtë sulm terrorist, më i madhi në Kosovën e pasluftës, autoritetet vendore kishin arrestuar tre persona: Bllagoje Spasojeviqin, Vlladimir Toliqin dhe Dushan Maksimoviqin, të cilët u shpallën fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 prill 2026.
Spasojeviqi dhe Toliqi u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqi u dënua me 30 vjet burgim.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale tashmë ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, në krye të të cilëve, sipas aktakuzës, është ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Të akuzuarit ngarkohen me vepra penale që lidhen me terrorizëm, financim të terrorizmit dhe shpëlarje të parave. /RTK