Katër palë semaforë në “Agim Ramadani” në Prishtinë - eksperti i komunikacionit tregon ç’mund t’i shkaktojë kolonat

Katër palë semaforë në “Agim Ramadani” në Prishtinë - eksperti i komunikacionit tregon ç’mund t’i shkaktojë kolonat

Aktuale September 24, 2026 - 12:49

Një ditë pas funksionalizimit të semaforëve të rinj në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, ku gjatë ditës së parë u krijuan kolona të automjeteve, vlerësohet se funksionimi i disa kryqëzimeve në një segment të shkurtër kërkon koordinim të plotë të sinjalizimit.

Eksperti i komunikacionit, Prof. Dr. Muhamed Krasniqi, thotë për Telegrafin se numri i semaforëve në vetvete nuk paraqet domosdoshmërisht problem, pasi secili kryqëzim duhet të vlerësohet në bazë të funksionit që ka.Megjithatë, sipas tij, kur disa kryqëzime semaforike ndodhen në distanca të shkurtra, koordinimi i tyre bëhet veçanërisht i rëndësishëm.

"Nëse semaforët funksionojnë të pavarur nga njëri-tjetri, pa një plan të përbashkët të koordinuar të sinjalizimit, mund të krijohen ndalesa të shpeshta, humbje kohe, rritje e gjatësisë së kolonave dhe, në raste të caktuara, bllokim i kryqëzimit paraprak", tha Krasniqi. Ai theksoi se, para se të vlerësohet nëse katër palë semaforësh në këtë segment janë shumë, duhet të analizohet mënyra se si funksionojnë ata si një sistem i vetëm.

"Çështja kryesore duhet të jetë, a funksionojnë këta semaforë në një sistem të koordinuar dhe a është puna e tyre rezultat i matjeve paraprake", u shpreh ai.

Krasniqi vlerësoi se moskoordinimi i semaforëve mund të jetë një prej faktorëve që ndikon në krijimin e kolonave.

Sipas tij, në një rrugë ku disa semaforë janë vendosur pranë njëri-tjetrit, duhet të koordinohen ciklet, kohëzgjatja e fazave dhe diferenca kohore ndërmjet ndezjes së sinjalit të gjelbër në kryqëzimet pasuese.

Në këtë rast, synimi është krijimi i të ashtuquajturës "valë e gjelbër", në mënyrë që automjetet që kalojnë një kryqëzim me dritë të gjelbër, duke lëvizur me shpejtësinë e përcaktuar, të arrijnë në kryqëzimin pasues gjatë intervalit të gjelbër.

"Nëse një grup automjetesh lirohet nga semafori i parë dhe menjëherë ndalet në të kuqe te semafori i dytë, ndërsa situata përsëritet edhe në kryqëzimet tjera, kapaciteti i gjithë korridorit zvogëlohet dhe kolonat mund të barten nga një kryqëzim në tjetrin", tha ai.Eksperti vlerëson se kolonat e vërejtura në ditën e parë duhet të shërbejnë si bazë për monitorim dhe analizë të mëtejshme.

"Nevojiten matje të vëllimit të trafikut, gjatësisë së kolonave, kohës së pritjes dhe funksionimit të cikleve gjatë orëve kulmore", deklaroi Krasniqi.

Ai shtoi se, nëse këto të dhëna tregojnë vonesa të panevojshme, duhet të bëhet optimizimi dhe sinkronizimi i kryqëzimeve si një korridor i vetëm, e jo që secili semafor të trajtohet i izoluar nga të tjerët.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës thotë se sinjalizimi i ri ende është duke u testuar.Drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci, tha se ekipet komunale janë duke kryer testimet në dy udhëkryqet që lidhin rrugën “Agim Ramadani” me rrugët “Qamil Hoxha”, “Rrustem Statovci” dhe në pjesën e poshtme me rrugën “Bajram Kelmendi”.

"Sot (23 shtator) në rrugën ‘Agim Ramadani’ jemi duke testuar sinjalizimin e ri semaforik në dy udhëkryqet që e lidhin rrugën ‘Agim Ramadani’ me ‘Qamil Hoxha’, me ‘Rrustem Statovcin’, si dhe në pjesën e poshtme me rrugën ‘Bajram Kelmendi’", tha Bajqinovci.

Ai theksoi se aktualisht po bëhen përgatitjet finale para lëshimit përfundimtar të sistemit.

"Po themi se jemi në fazën testuese edhe në pyetjet e mediave se a e kanë rënduar komunikacionin. Sigurisht se jemi duke bërë ato përgatitjet finale para paralëshimit final të këtij sinjalizimi", u shpreh ai. Bajqinovci tha gjithashtu se është duke u përfunduar infrastruktura që ndërlidh rrugët me “Agim Ramadanin”, ndërsa është ndryshuar edhe qasja e vendkalimeve për këmbësorë.

"Sigurisht se jemi duke përfunduar edhe pjesën finale të infrastrukturës që i ndërlidh rrugët me ‘Agim Ramadani’. Andaj, kemi ndryshuar edhe qasjen e vendkalimeve dhe sigurisht se në të ardhmen do të jenë më të sigurta për këmbësorët", tha ai.

Semaforët e rinj në këtë pjesë të rrugës u lëshuan në qarkullim më 23 shtator, pas disa muajsh punë dhe testimesh. Në ditën e parë të funksionalizimit, në terren u vërejtën kolona të automjeteve, ndërsa në disa prej semaforëve pritja në të kuqe ishte rreth 90 sekonda, përballë rreth 30 sekondave të dritës së gjelbër - situatë kjo që ka vazhduar edhe sot (24 shtator 2026).

Tashmë mbetet që pas përfundimit të fazës testuese të shihet nëse parametrat e sinjalizimit do të përshtaten në bazë të të dhënave të trafikut dhe nëse funksionimi i kryqëzimeve do të mundësojë rrjedhje më të mirë të komunikacionit në këtë aks të Prishtinës. /Telegrafi