Arrestohet në Maqedoninë e Veriut ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Pushkolli

Arrestohet në Maqedoninë e Veriut ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Pushkolli

Aktuale September 22, 2026 - 21:49

Fadil Pushkolli, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka bërë të ditur se është arrestuar në pikën kufitare Bllacë–Elez Han, në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Pushkollit, arrestimi është bërë në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Në një njoftim të tij, Pushkolli ka deklaruar se është informuar se arrestimi lidhet me të kaluarën e tij si pjesëtar i UÇK-së.

“Dëshiroj t’ju njoftoj se jam arrestuar në pikën kufitare Bllacë–Elez Han, në territorin e Maqedonisë së Veriut, bazuar në një urdhër të lëshuar nga autoritetet serbe”, ka thënë ai.

Pushkolli u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin menjëherë masat e nevojshme për trajtimin e rastit dhe mbrojtjen e të drejtave të tij.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me urdhërarrestin apo procedurat që do të ndiqen ndaj tij.