Dodë Gjergji: Të bashkohemi për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë
Foto: Laura Hasani

Dodë Gjergji: Të bashkohemi për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë

Aktuale September 19, 2026 - 12:35

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një komunikate, Imzot Dodë Gjergji ka thënë se vendimi ka lënë “hidhërim të thellë dhe thartirë në shpirt”.

Ai e ka lidhur situatën aktuale me periudhat historike kur shqiptarët kanë bërë sakrifica për mbrojtjen e gjuhës, dinjitetit dhe të drejtës për liri, duke përmendur edhe Don Mikel Tarabulluzin dhe shkollën shqipe.

Sipas tij, vendimi i Dhomave të Specializuara ka rikujtuar “kalvarin” e padrejtësive historike.

“E ne s’na mbetet gjë tjetër veç se: Të bashkohemi për ta bindë drejtësinë që të jetë e drejtë ndaj nesh”, ka shkruar Imzot Gjergji.

Ai ka bërë thirrje që dhimbja dhe zemërimi të mos ndikojnë në arsyen dhe urtinë e qytetarëve.

“Prandaj çdo reagim duhet të jetë i matur, paqësor dhe i përgjegjshëm dhe në shërbim të përpjekjes juridike e institucionale për ta kundërshtuar dhe ndryshuar këtë vendim, e kurrë kundër vetë drejtësisë si vlerë”, ka deklaruar ai.

Imzot Gjergji ka kërkuar nga institucionet dhe klasa politike në Kosovë që të tregojnë përgjegjësi dhe të bashkëpunojnë përballë çështjeve që, sipas tij, prekin lirinë, dinjitetin dhe kujtesën historike të popullit.

“Interesi i vendit kërkon maturi, bashkërendim institucional dhe përgjegjësi të përbashkët”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje për bashkim rreth të vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë për të ardhmen, si dhe për forcimin e miqësive me vendet që e kanë mbështetur Kosovën.

Ipeshkvi i Kosovës ka theksuar gjithashtu nevojën që situata të përballohet me pjekuri dhe dinjitet, duke paralajmëruar se zemërimi i tepruar, hapat e nxituar apo veprimi i vonuar mund ta dëmtojnë të ardhmen.

“Si Kishë, nuk mund të gjykojmë njerëz e as drejtësinë; por nuk mund as të heshtim kur plagoset ndërgjegjja dhe liria e fituar me gjak”, ka shkruar Imzot Gjergji.

Ai ka thënë se detyra e Kishës është “të kërkojë të vërtetën pa urrejtje, drejtësinë pa hakmarrje dhe pajtimin pa harruar atë që është e drejtë”.

“Kosovës nuk i duhet sot më shumë zhurmë. I duhet urtësi, bashkim, qëndrueshmëri dhe besim”, përfundon reagimi i Imzot Dodë Gjergjit.