Baraliu: Kosova është në emergjencë kombëtare pas vendimit të Hagës, kërkohet mobilizim dhe unitet politik
Foto: Laura Hasani

Baraliu: Kosova është në emergjencë kombëtare pas vendimit të Hagës, kërkohet mobilizim dhe unitet politik

Aktuale September 19, 2026 - 12:32

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kosova ndodhet në një situatë që ai e cilësoi si “emergjencë kombëtare”.

Baraliu ka kërkuar mobilizim dhe unitet politik, përfshirë mbledhjen e Kuvendit dhe Qeverisë, ndërsa ka propozuar krijimin e një fondi për mbështetjen e mbrojtjes në procedurën e apelit, si dhe mekanizma për monitorimin e procesit dhe lobimin diplomatik.

“Sigurisht që Serbia do ta përdorë sepse ajo ka investuar shumë në këtë gjykatë dhe vazhdimisht edhe në dimensione të tjera për ta goditur, sulmuar, kritikuar, deri në çnjohje e zhbërje, me qëllim të fundit zhbërjen e shtetit të Kosovës. Prandaj kur gjendemi pas këtij vendimi jashtëzakonisht të dëmshëm për historinë e Kosovës, për vlerat e UÇK-së, për UÇK-në, për atë që është e arritura jonë më e madhe është pikërisht lufta e UÇK-së në këto vite të fundit, nëse doni edhe në shekullin e fundit, atëherë ne jemi në një situatë të të emergjencës kombëtare”, tha ai, për Ekonomia Online.

Sipas Baraliut, në këtë situatë duhet të ketë vendimmarrje të menjëhershme institucionale dhe bashkim të subjekteve politike.

“Kjo situatë nënkupton mobilizim dhe unitet. Mobilizim serioz, të menjëhershëm dhe vendime të menjëhershme, qasje serioze e situatës, që do të thotë mbledhja e Kuvendit, Qeveria paraprakisht dhe Kuvendi pastaj për unitetin dhe unifikimin e partive politike, tërheqja e PDK-së, nëse edhe Aleanca është në parashtresë drejt Gjykatës Kushtetuese nga pretendimet atje, zgjedhja e nënkryetarit nga PDK-ja, zgjedhja e presidentit, votimi i presidentit unanimisht, të gjithë të paktën për ta bërë kuorumin dhe pastaj formimi i një fondi nga Qeveria, i miratuar në Parlament nga të gjitha partitë, pa dallim pozitë-opozitë sepse nuk ka më politikë që duhet udhëhequr sepse edhe ashtu na kanë lodhur këta njerëz, po tashmë jemi në emergjencë kombëtare dhe duhet vepruar pikërisht në funksion të ruajtjes së shtetit dhe mbrojtjes së fryteve të luftës çlirimtare”, tha ai.

Ai ka propozuar që Qeveria të ndajë një fond prej 40 deri në 50 milionë euro për mbështetjen e ekipit mbrojtës në procedurën e apelit.

“Mobilizimit drejt sigurimit të fondeve, pra një fond Qeveria do të duhej diku 40, 50 milionë, menjëherë, urgjentisht, për të krijuar kushte dhe mundësi dhe kapacitete të mbrojtjes prej më të mirëve që ka bota, e përparimtare, avokatë, edhe avokatë të brendshëm dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve për ta përkrahur ekipin e mbrojtjes në apel, në procedurën e apelit atje në atë gjykatë”, tha ai.

Baraliu ka kërkuar gjithashtu krijimin e një task-force parlamentare që do të monitoronte procesin dhe do të merrej me ndarjen e fondeve për këtë qëllim.

“Do të duhej formuar po ashtu një task-forcë e cila do ta monitoronte, pra me përfaqësues të partive politike në Parlament, një task-forcë e veçantë, një këshill të veçantë, i cili do ta monitoronte, ka të drejtë ta bëjë atë dhe duhet ta bëjë, sepse aq më tepër që kjo gjykatë përndryshe e padrejtë dhe diskriminuese dhe do të thosha unë edhe kriminalizuese ndaj UÇK-së dhe vlerave tona dhe dëmtimit dhe dënimit të katërshes tonë atje, do të duhej që pikërisht kjo task-forcë të merret me monitorimin dhe të ndajë fonde për këtë”, tha ai për Ekonomia Online.

Ndërkohë, ai ka propozuar edhe krijimin e një task-force në Ministrinë e Jashtme, e cila do të merrej me lobimin diplomatik deri në përfundimin e procedurës së apelit.

“Dhe një tjetër task-forcë në Ministrinë e Jashtme, brenda Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme, për të lobuar aktivisht çdo ditë në vazhdimësi derisa të merret verdikti nga Gjykata e Apelit dhe në të gjitha qendrat botërore të ekselencës diplomatike dhe në të gjitha vendet ku ne kemi përfaqësi diplomatike ose konsullore, në mënyrë që të lobohet edhe për këtë duhen fondet, të caktohet një kod i veçantë me fonde të veçanta, menjëherë urgjentisht dhe kjo do të duhej bërë brenda dy-tri ditësh, varianti i parë”, tha ai.

Sa i përket mundësisë së zhbërjes së Gjykatës Speciale, Baraliu tha se një veprim i tillë do të ishte i komplikuar juridikisht, ndërsa kërkoi që të merren parasysh edhe pasojat e mundshme në marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.

“Varianti i dytë është eventualisht nëse po mendojnë deputetët të caktojnë një seancë meqë kanë filluar nënshkrimet për zhbërjen e kësaj gjykate. Megjithatë unë mendoj që për këtë është e komplikuar në aspektin juridik, po të paktën ta bëjnë në aspektin politik duke menduar për pasojat që mund të jenë në diplomacinë ndërkombëtare dhe në ndërrimin e kursit eventual që mund të jetë pasojë negative e miqve tanë, aleatëve tanë dhe shteteve në Evropë dhe jashtë saj, edhe këtu duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara që na kanë njohur dhe na kanë ndihmuar në hapërimin tonë deri të tanishëm në konsolidimin e shtetit”, tha ai./EO