VLEN: Qëndrojmë pranë Kosovës dhe vlerave të luftës së UÇK-së
Koalicioni i partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut (VLEN) ka shprehur mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po përballen me proces gjyqësor në Hagë, duke thënë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare.
Në një qëndrim të publikuar të hënën, VLEN-i ka thënë se lufta çlirimtare e Kosovës dhe rrugëtimi drejt pavarësisë janë ndër periudhat më të ndjeshme, por edhe më të lavdishme të historisë së shqiptarëve.
“Ne shqiptarët e kemi ende të gjallë kujtesën për vuajtjet, sakrificat dhe qëndresën e shqiptarëve përballë një regjimi represiv”, thuhet në reagim.
Sipas VLEN-it, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte “luftë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare për liri, dinjitet dhe mbijetesë”.
“Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe rezultat i një sakrifice të jashtëzakonshme. Ajo u ndërtua mbi gjakun e dëshmorëve, mbi qëndresën e shqiptarëve dhe mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar VLEN-i.
Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, VLEN-i ka theksuar se ata po përballen me një proces të rëndë, por ka rikujtuar parimin e prezumimit të pafajësisë.
“Akuzë nuk është aktgjykim. Presumimi i pafajësisë është parim themelor i drejtësisë dhe duhet të respektohet deri në fund”, thuhet në reagim.
VLEN-i ka thënë se qëndron pranë Republikës së Kosovës, shqiptarëve të Kosovës dhe vlerave të luftës së UÇK-së.
“Historia nuk rishkruhet me akuza. Shpresojmë dhe besojmë që Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do të kthehen të lirë pranë familjeve të tyre”, përfundon qëndrimi i VLEN-it.