Rama akuzon LVV-në se sabotoi pastrimin e Prishtinës, dështon themelimi i kompanisë “Pastrimi”
Foto: Laura Hasani

Rama akuzon LVV-në se sabotoi pastrimin e Prishtinës, dështon themelimi i kompanisë “Pastrimi”

Aktuale September 11, 2026 - 15:34

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka sabotuar, sipas tij, pastrimin e kryeqytetit pas dështimit të themelimit të kompanisë komunale “Pastrimi”.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka kritikuar asamblistët që votuan kundër themelimit të kësaj kompanie, duke thënë se me votën e tyre “e latë qytetin në bërllog”.

“Me votën tuaj e latë qytetin në bërllog, lagjet ku jetoni vetë, rrugët ku ecin fëmijët tuaj, familjet tuaja. Krejt qytetarët e Prishtinës i lini në bërllog”, ka shkruar Rama.

Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e sjelljes së asamblistëve gjatë punimeve të Kuvendit të kryeqytetit.

“Mos me votu me u hek bërllogu prej dyerve tona, prej lagjeve tona, prej rrugëve ku ecin fëmijët tanë, e kalon secilin nivel të logjikës. Kjo i bjen me punu kundër vetëvetes!”, ka deklaruar Rama.

Në fund, ai ka ironizuar me vendimin e asamblistëve, duke shkruar: “Seriozisht, jeni për studim!”.