Bugaqku: Mandati si u.d. e presidentes Haxhiut i mbaron më 4 tetor
Foto: Laura Hasani

Bugaqku: Mandati si u.d. e presidentes Haxhiut i mbaron më 4 tetor

Aktuale September 09, 2026 - 12:26

Me rizgjedhjen si kryetare e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu do të vazhdojë të ushtrojë postin e presidentit të Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që ky funksion shtetëror mund të ushtrohet nga kryeparlamentari në një afat prej 6 muajsh, kur vendi mbetet pa president.

Haxhiu u bë ushtruese e detyrës së presidentit nga 4 prilli 2026 kur përfundoi mandati i presidentes Vjosa Osmani.

Gjashtë mujori i ushtrueses së detyrës së presidentiti të Haxhiut që nisi më 4 prill përfundon më 4 tetor.

A rinis afati gjashtë mujor me rizgjedhjen e Haxhiut si kryetare e Kuvendit.

Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës [KDI], tha për Radion Evropa e Lirë se mandati si ushtruese e detyrës Haxhiut si kryetare e Kuvendit i përfundon më 4 tetor.

“Pas kësaj date skadon afati i gjashtë mujor dhe ligjërisht i njëjti ose e njëjta nuk ka të drejtë që të funksionojë edhe si ushtrues i detyrës së presidentit për shkak se është në kundërshtim me Nenin 90 paragrafin 3 të Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.

Sipas Bugaqkut, çdo vendim ose dekret që mund të nxirret pas kësaj date nga Haxhiu është i kontestueshëm për nga kushtetutshmëria dhe rrezikon të rrëzohet nga gjykatat.

Ai bën thirrje që nga dita e konstituimit të Kuvendit, deputetët duhet ta shohin si alarmues afatin kohor deri më 4 tetor, që ta zgjedhin presidentin.

Sipas tij tejkalimi i këtij afati pa një president të ri përbën cenim për sigurinë e shtetit.

“Për shtetin e Kosovës dhe për sistemin e kushtetuese parlamentar në Kosovë, kjo do të thotë një njollë shumë e keqe dhe një precedent i rrezikshëm që cenon edhe sigurinë kombëtare”, tha Bugaqku.