Gashi i përgjigjet Rashiqit: Krejt çka kam thënë është e vërtetë
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, pasi ky i fundit mohoi akuzat se gjatë takimeve me zyrtarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë kishte quajtur shqiptarët “terroristë”.
Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deklaratat e tij janë të vërteta, duke pretenduar se Rashiqi vetë i kishte rrëfyer për rastin e djalit të tij të mitur dhe lëndimin e dorës, gjatë një takimi jashtë Kosovës me përfaqësues të organizatave të rëndësishme.
“Rashiq, po ta kushtoj një status të shkurtër. Krejt çka kam thënë është e vërtetë”, ka shkruar Gashi.
Ai ka thënë se Rashiqi tash është bindur se “integrimi është i mundur” dhe se Policia e Kosovës u shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
Në fund, Gashi i është drejtuar Rashiqit me një paralajmërim, duke thënë se për pretendimet e tij “ka edhe procesverbale”.
“Por të përgëzoj që tash e ke kuptuar se ke qenë gabim. Për këto punë ka edhe procesverbale”, ka shkruar Gashi, duke e shoqëruar postimin me një emoji.
Reagimi i Gashit vjen pasi Rashiq kishte mohuar kategorikisht se i ka quajtur shqiptarët “terroristë”, duke i cilësuar pretendimet e deputetit të LDK-së si të pavërteta.
Ndërkohë, Rashiq ka folur edhe për aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit. Ai ka deklaruar se disa bashkëpunëtorë të tij kishin marrë thirrje kërcënuese nga një person me numër telefoni të Serbisë, i cili u kishte kërkuar të shkonin në Beograd.
Në aktakuzën ndaj Shehollit, Rashiq përmendet si viktimë e targetuar e një plani të dyshuar për diskreditim, që Prokuroria pretendon se ishte organizuar në bashkëpunim me shërbimin sekret serb, BIA.