Raportimet në rastet tragjike, njohësit:Po tejkalohet interesi publik dhe cenohet privatësia e viktimave
Raportimi i aksidenteve dhe rasteve tragjike po rikthen debatin për mënyrën se si mediet trajtojnë viktimat dhe familjet e tyre. Njohës të gazetarisë dhe përfaqësues të institucioneve monitoruese thonë se publikimi i detajeve identifikuese dhe pamjeve të rënda shpesh tejkalon interesin publik dhe cenon privatësinë e viktimave. Sipas tyre, sensacionalizmi dhe kërkimi i klikimeve po dëmtojnë standardet profesionale dhe besimin e qytetarëve në medie.
Raportimi i rasteve tragjike në medie po ngre shqetësime për respektimin e standardeve profesionale dhe etike të gazetarisë.
Titujt që ekspozojnë dhunën ndaj fëmijëve, viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe personave me probleme të shëndetit mendor, por edhe titujt që bazohen në pamje nga aksidentet e trafikut, siç ishte rasti i mbrëmshëm, po kritikohen nga njohësit e medias dhe të shoqërisë civile.
Sipas njohësve të gazetarisë, në raste të tilla shpesh tejkalohet interesi publik dhe cenohet privatësia e viktimave.
"Njerëzit që nuk janë publikë, që nuk kanë funksione publike apo nuk janë fytyra publike, nuk ka asnjë interes publik me u publiku të dhënat si emri, fotografia dhe gjëra të tjera, për me tregu që filan njeri ka pësuar nga ai aksident", tha Alban Zenelaj, profesor i gazetarisë.
Kritikat adresojnë edhe mënyrën se si një rast tragjik shndërrohet në përmbajtje për konsum masiv.
"Kjo nuk është rrezik veç për familjet, por është rrezik edhe për mediat, sepse mediat, duke i bërë këto praktika, po krijojnë antagonizëm ndaj qytetarëve", theksoi Bind Skeja nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social.
Shqetësimi është evident edhe tek institucionet që monitorojnë punën e medieve. Ata pranojnë se raportimi i aksidenteve dhe rasteve tragjike mbetet problematik, ndërsa përgjegjësinë e lidhin me politikat redaktuese që synojnë audiencë përmes sensacionalizmit.
"Kemi një gjendje shqetësuese, në përgjithësi, në raportimin e mediave në këtë aspekt, duke u nisur nga aksidentet ose rastet tragjike. Ne si komision e kemi një juridiksion të kufizuar. Gjendja në media nuk është e kënaqshme në këtë aspekt", thotë Besnik Berisha, kryetar i KPM-së.
"Për këto raportime nuk bie barra mbi gazetarët, bie barra mbi politikat redaktoriale për gazetari sensacionale për me marrë klikime. Dhe kjo është e dënueshme jo vetëm nga AGK-ja, por nga të gjitha instancat dhe po mundohemi që me një dialog të mbyllur që e kemi fillu me media me e përmirësu këtë klimë të të bërit gazetari, sepse është kriju një klimë e papërshtatshme për gazetarët në terren për shkak të këtyre politikave që nuk po shkojnë në favor të informimit të drejtë të qytetarëve", tha Getoarba Mulliqi, drejtoreshë ekzekutive e AGK-së.
Në mungesë të një kufiri të qartë mes interesit publik dhe sensacionalizmit, vihet në pikëpyetje respektimi i standardeve profesionale të gazetarisë. Një qasje e tillë, përveç cenimit të privatësisë dhe dinjitetit të viktimave, rrezikon të dëmtojë edhe besimin e qytetarëve në media./RTK