Komanda e NATO-s në Napoli njofton për vizitat e ushtarakëve të KFOR-it te Ura e Ibrit, përmendet përshtatja e pranisë
Foto: Facebook

Komanda e NATO-s në Napoli njofton për vizitat e ushtarakëve të KFOR-it te Ura e Ibrit, përmendet përshtatja e pranisë

Aktuale August 31, 2026 - 11:32

Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate e NATO-s në Napoli njoftoi se udhëheqës të lartë nga KFOR-i vizituan së fundmi personelin që vepron në Mitrovicë.

JFCNP njoftoi se vizita u bë “për të theksuar praninë e vazhdueshme të KFOR-it dhe ndërgjegjësimin për situatën në veriun e Kosovës”.

“Gjatë vizitave, Komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (Gianfranco Di Fiore) vëzhgoi aktivitetet e vazhdueshme të sigurisë mobile, ndërsa Shefi i Shtabit të KFOR-it u angazhua me personelin e MSU-së dhe të Ekipeve për Ndërlidhje dhe Monitorim për të marrë përditësime mbi situatën operacionale”, thuhet në njoftim.

Komanda e NATO-s në Napoli tha se operacionet e sigurisë dhe angazhimi i rregullt me komunitetin sigurojnë që KFOR-i ta “përshtatë qëndrimin e tij, duke mbetur i informuar, i lidhur dhe i gatshëm për të reaguar sa herë që nevojitet”.

“Ndërsa KFOR-i optimizon pozicionimin e tij, përgjegjësia e tij mbetet e pandryshuar”, thuhet në një komunikatë të lëshuar.

Komandanti i MSU u takua gjithashtu me ushtarët e Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim (LMT) K2 të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, duke vlerësuar përkushtimin e tyre për ruajtjen e dialogut me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve në terren, thuhet tutje në komunikatë.