19 vdekje në vendin e punës deri në gusht, Azemi: Viti mund të jetë më i rëndë se 2025
E hëna e 24 gushtit rezultoi të jetë fatale për një 49 vjeçar.
Ky i fundit humbi tragjikisht jetën, pasi ra nga lartësia e këtij objektit ku po punonte.
Por, ky rast që e tronditi vendin, nuk ishte i pari këtë vit ku një punëtor humb jetën në vendin e punës.
Madje, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, u regjistruan plot 19 raste të tilla.
E pothuajse të gjitha, ndodhën në sektorin e ndërtimtarisë.
“Sipas periudhës kohore qe kemi me vitin e kaluar sipas gjitha gjasave fatkeqësisht, ky vit do të jetë më i keq se viti i kaluar hala ma e rëndë është sepse për derisa në vendet e tjera në perëndim shpesh herë edhe në Kosovë tek punëtorët e sektorit publik, këta punëtorë kanë një mbështetje financiare nga vendi ku punojnë e tek ne ende nuk e kemi e sipas gjitha gjasave nuk do ta kemi. Saktë shifrat janë 19 në këtë vit deri në këto momente”, thotë Jusuf Azemi-Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.
E sipas ekspertit të sigurisë në punë, Naim Bajraktari përgjegjësia për këto fatkeqësie bie mbi punëdhënësit.
“Do të ishte një pyetje tjetër, çfarë masash duhet të marrim që të ndalohen kjo, ndodhi që po na ndodhin? Kush do t’i merr masat? Punëdhënësi duhet t’i merr kryekëput. Ai duhet t’i trajnojë punëtorët, ai duhet t’ju sigurojë pajisjet, ai duhet t’i sigurojë vendet e sigurta të punës, ai duhet të vlerësojë rrezikshmërinë në vendet e punës”, shprehet Bajraktari
Bajraktari ka treguar se si mund të shmangen këto fatkeqësi.
“ Me marrjen e masave, me trajnime, me caktimin e një personi profesionist apo një personi në fund të fundit që ka një përvojë në punët e përditshme që bën, që ai t’i merr këto masa, të kujdeset për sigurinë e punëtorëve”, vlerëson ai.
Ndryshe, në muajin korrik, Inspektorati Qendror i Punës, ka mbyllur 16 vendpunishte në disa komuna të vendit, për shkak të parregullsive të evidentuara sa i përket sigurisë në punë.
Ndërsa, gjatë vitit 2025, janë regjistruar 32 raste kur punëtorët e humbën jetën tragjikisht në vendin e punës./teve1