Haxhiu përkujton Ismet Jasharin: Liria që gëzojmë sot mban brenda saj peshën e sakrificës
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 28-vjetorin e rënies së Ismet Jasharit, i njohur si Komandant “Kumanova”, si dhe të bashkëluftëtarëve të tij Habib Zogaj dhe Nuhi Mazreku.
Haxhiu ka kujtuar betejën e Luzhnicës, ku Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij ranë heroikisht teksa po përpiqeshin të tërhiqnin trupat e Afrim Buçajt dhe Gani Kastratit, të cilët kishin rënë një ditë më parë.
“Sot, në 28 vjetorin e rënies së Ismet Jasharit, Komandant “Kumanova”, përkujtojmë me nderim të thellë atë dhe bashkëluftëtarët e tij, Habib Zogajn dhe Nuhi Mazrekun, të cilët ranë heroikisht në betejën e Luzhnicës, duke u përpjekur të tërhiqnin trupat e bashkëluftëtarëve të tyre, Afrim Buçajt dhe Gani Kastratit, të rënë një ditë më parë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar lart figurën e Komandant “Kumanovës”, duke e cilësuar atë si një prej figurave më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ismet Jashari, Komandant “Kumanova”, mbetet një nga figurat më të shquara dhe më të nderuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, simbol i guximit dhe vendosmërisë së pathyeshme, që nuk u dorëzua përballë një force shumëfish më të madhe në numër dhe armatim”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka theksuar se sakrifica e dëshmorëve nga të gjitha trevat shqiptare është pjesë e çmimit të lirisë që gëzohet sot.
“28 vjet më vonë, liria që gëzojmë sot mban brenda saj peshën e sakrificës së bijve dhe bijave nga të gjitha trevat shqiptare”, ka shkruar ajo.
Në 28-vjetorin e rënies së Ismet Jasharit, ushtruesja e detyrës së presidentes ka nderuar edhe dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, e cila pas rënies së tij mori emrin e Komandant “Kumanovës”.
“Në këtë ditë përkujtimi, nderojmë edhe të gjithë dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, brigadë që pas rënies së tij mori emrin e Komandant “Kumanovës””, ka shkruar Haxhiu.