Tasholli: Nga 16 shtatori duhet të nisin “orët e bardha” për Kosovën

Tasholli: Nga 16 shtatori duhet të nisin “orët e bardha” për Kosovën

Aktuale August 22, 2026 - 10:27

Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka përcjellë një mesazh për familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Zakonisht orët e vështira të një shoqërie janë orët epike që numërohen nga mbrapa. Ne po shpresojmë që nga 16 shtatori ora e mbrapshtë të fillojë mbarë, sepse kjo shoqëri ka nevojë për orët e bardha”, tha Tasholli.

Ai ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin dhe për faktin se kanë qenë bashkë gjatë aktiviteteve të zhvilluara në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ndryshe, platforma “Liria ka Emër” ka bërë të ditur se sot në sheshin “Nëna Tereza” në Prishtinë do të nisë aktiviteti i quajtur “Ora e Pritjes”.

Në kuadër të këtij aktiviteti do të vendoset një ekran gjigant me numërim së prapthi, 25 ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet të merret vendimi përfundimtar për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Në aktivitet pritet të marrin pjesë artistë dhe personalitete të ndryshme, ndërsa ngjarja do të nisë në ora 10:00. /eo