Hoti: Kosova rrezikon institucione jokushtetuese, partitë duhet të ulen në tryezë
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti ka bërë thirrje për tejkalimin e ngërçit politik dhe konstituimin e institucioneve të vendit, duke vlerësuar se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet përmes një procesi konsensual ku përfshihen të gjitha subjektet politike.
Hoti ka thënë se pavarësisht cikleve zgjedhore, partitë politike në fund duhet të ulen në tryezë për të gjetur një zgjidhje për pozitën e presidentit.
Sipas tij, Kosova tashmë do të duhej t’i kishte në funksion Kuvendin dhe Qeverinë, ndërsa situatën aktuale e ka cilësuar si “fatkeqësi për vendin”.
“Ne mund të mbajmë cikle e cikle zgjedhore, por në fund të ditës ne sërish duhet të ulemi në tryezë për të gjetur një figurë të caktuar për pozitën e presidentit. Vendi tani duhet ta kishte edhe parlamentin edhe Qeverinë në funksion. Kjo gjë që po ndodh është një fatkeqësi për vendin sepse edhe nëse subjekti fitues synon për numra të tjerë ose ulëse të tjerë besoj që nuk është në as në interesin e demokracisë e as të Republikës që të krijohet një lloj monopoli politik në të gjitha institucionet. Është paradoksale krejtësisht e pakuptueshme, është në jo interest të vendit qëndrimi i opozitës dhe pozitës jashtë procesit sa herë flitet për përzgjedhjen e presidentit. Në rastin e zgjedhjes së presidentit të gjitha subjektet opozitare duhet me qenë pjesë e tryezës”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i bllokadës mund të sjellë pasoja edhe në aspektin kushtetues.
“Mundësitë janë të mëdha që këto institucione të dalin jokushtetuese”, ka thënë Hoti.
Profesori ka kritikuar gjithashtu idenë e krijimit të një monopoli politik në të gjitha institucionet, duke theksuar se kjo nuk do të ishte në interes të demokracisë dhe Republikës së Kosovës.
Ai ka vlerësuar se zhvillimet e fundit në LDK kanë krijuar një “fije shprese” për tejkalimin e situatës dhe ka bërë thirrje që të procedohet me konstituimin e Kuvendit.
“Vendi duhet ta ketë një president konsensual që nuk ka përkatësi politike, që u bien taman VV-së edhe subjekteve opozitare, kam 5 emra konkretë që janë figura të tilla që mund ta luanin dhe ta kishin postin e presidentit….Mundësitë janë të mëdha që këto institucione të dalin jokushtetuese… Këto lëvizjet e fundit të LDK-së praktikisht kanë dhënë një dritë jeshile, një fije shprese, një dritë në fund të tunelit që të ecet më tutje dhe në këtë drejtim mendoj që nuk ka alternativë që e bënë të pakuptueshëm stagnimin ose bllokadën e VV-së për mos me procedua me konstituimin e Kuvendit. Imazhin e kemi shkatërruar në masë të jashtëzakonshme, në ShBA sa herë që flitet për Kosovën, flitet në kontekstin negativ. Imazhi juridik dhe politik i Kosovës në këto vitet e fundit është dëmtuara në mënyrën shumë të rëndë”, ka thënë ai.
Hoti ka propozuar që presidenti i ardhshëm të jetë një figurë konsensuale dhe pa përkatësi politike.
“Vendi duhet ta ketë një president konsensual që nuk ka përkatësi politike, që u bie taman VV-së edhe subjekteve opozitare”, është shprehur ai, duke bërë të ditur se ka pesë emra konkretë që, sipas tij, do të mund ta ushtronin këtë funksion.
Në fund, Hoti ka thënë se bllokada institucionale po dëmton edhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Imazhin e kemi shkatërruar në masë të jashtëzakonshme, në SHBA sa herë që flitet për Kosovën, flitet në kontekstin negativ”, ka deklaruar ai./teve1