Luan dhe Dua mes emrave më të popullarizuar për foshnjat në Zvicër

Luan dhe Dua mes emrave më të popullarizuar për foshnjat në Zvicër

Aktuale August 21, 2026 - 13:48

Enti Federal i Statistikave në Zvicër ka publikuar klasifikimin zyrtar të emrave më të përhapur për foshnjat e lindura gjatë vitit 2025.

Në kategorinë e djemve, emri Noah vazhdon të ruajë kryesimin e listës, i ndjekur nga Liam dhe Gabriel.

Ndërkaq, te vajzat vendin e parë e zë emri Sofia, ndërsa pozicionet vijuese i mbajnë emrat Emma dhe Mia.

Emri Noah konfirmon edhe një herë dominimin e tij afatgjatë në vend.

Ai ka qenë më i preferuari për prindërit zviceranë në vitet 2010 e 2011, përgjatë periudhës nga viti 2013 deri më 2017, si dhe pa ndërprerje nga viti 2021 deri më 2024, duke e ruajtur sërish pozitën e parë gjatë vitit 2025.

Në anën tjetër, Sofia ngjitet në majë të klasifikimit për vajzat, pasi ka qenë vazhdimisht mes tre emrave më të pëlqyer gjatë periudhave 2017-2019 dhe 2022-2024.

Përtej kryesuesve, të dhënat e reja statistikore shfaqin edhe lëvizje të dukshme në preferenca.

Ngritjen më të madhe në ranglistë e shënuan emrat Liyana te vajzat dhe Arno te djemtë, të cilët mes viteve 2024 dhe 2025 u ngjitën përkatësisht me 279 dhe 199 pozicione.

Në krahun tjetër, rënien më të madhe e pësuan emri Linda, i cili humbi 69 vende te vajzat, si dhe emri Milan, i cili ra me 76 pozicione te djemtë.

Ndërkaq, pjesë e listës së 100 emrave më të përhapur për të porsalindurit u bënë për herë të parë edhe emrat Mina dhe Maleo. Në vendin e 23-të është emri Luan. Te vajzat emri Dua është në vendin e 65-të. /Telegrafi/