Çitaku për Thaçin: Sot në burg, nesër në liri, President
Foto: Laura Hasani

Çitaku për Thaçin: Sot në burg, nesër në liri, President

Aktuale August 21, 2026 - 11:58

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar me një mesazh në mbështetje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet tash e gjashtë vjet në paraburgim në Hagë.

Çitaku ka thënë se fati i Thaçit nuk është përcaktuar nga rastësia, privilegji apo rrethanat, por nga vendimet dhe përballjet e tij gjatë viteve.

“Nuk ka pasur as rastësi, as fat, e as rrethana që e kanë privilegjuar. Jeta dhe historia e tij nuk janë produkt i privilegjit e i rehatisë. Në fakt, krejt e kundërta”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Sipas Çitakut, Thaçi ka qenë vazhdimisht “kundër erës” dhe ka sfiduar atë që dukej e pamundur, duke kontribuar në ëndrrën për një Kosovë të lirë, të orientuar drejt botës demokratike dhe si shtet.

“Edhe kjo betejë në Gjykatën Speciale, e pranuar me vetëdije prej tij, duke e ditur se ai do të ishte caku i parë, është bërë mbi të njëjtat premisa. Sepse shumë moti, siç e tha edhe vetë sonte në intervistë, Hashim Thaçi nuk i takonte më vetëm vetes së tij. Ka diçka të jashtëzakonshme te njerëzit që i dedikohen një kauze deri në vetëmohim. Që e vendosin atë para rehatisë, para interesit personal, madje edhe para lirisë së tyre”, shkruan më tej Çitaku. /eo