Palatova dhe shefi i ri i EULEX-it zotohen ta ndihmojnë Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit
Ushtruesja e detyrës së Shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, të enjten ka takuar shefin e sapoemëruar të EULEX-it, Antero Lopes, të cilit i ka uruar mirëseardhje në Kosovë.
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë takimit Palatova dhe Lopes kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në mbështetjen e reformave që synojnë afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.
“Ushtruesja e detyrës së Shefes së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, pati kënaqësinë të takohej dhe t’i uronte sot mirëseardhje Shefit të sapoemëruar të EULEX-it, Antero Lopes, i cili drejton një shtyllë të rëndësishme të #TeamEurope në Kosovë. Presim me kënaqësi të punojmë së bashku për të ndihmuar Kosovën të forcojë sundimin e ligjit dhe të zbatojë reformat që e afrojnë atë me BE-në”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.